LDK-ja do ta humbë Prishtinën

Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, u është kundërpërgjigjur deklaratave të zyrtarëve të LDK-së, se nuk e shohin konkurrente në Prishtinë PDK-në.
Çelaj ka thënë për “Epokën e re” se këto vlerësime zyrtarët e LDK-së po i bëjnë prej frikës se do ta humbin kryeqytetin në zgjedhjet e 3 nëntorit. “Përpjekjet e tyre tash para fushatës zgjedhore tregojnë një pasiguri të tyre. Po mundohen që me projekte të ndryshme shpejt e shpejt të ndikojnë pak në opinion. Ata e dinë se nuk i kanë punët mirë në Prishtinë”, ka thënë Çelaj, duke shtuar se partia më e madhe në vend do ta fitojë këtë herë kryeqytetin.
“Po them se PDK-ja do ta marrë Prishtinën në këto zgjedhje. Këtë e them me bindje. Për këtë flasin edhe matjet që i kemi bërë. Sondazhet që i kemi për nevojat e brendshme, të cilat nuk i kemi publikuar asnjëherë, tregojnë qartë epërsinë e PDK-së në Prishtinë”, ka thënë Çelaj.
Ai ka thënë se PDK-ja në Prishtinë nuk do të vonohet me zgjedhjen e kandidatit të saj. “Kjo çështje nuk varet krejt prej meje, prandaj edhe nuk mund të them ndonjë datë se kur do ta zgjedhim. Brenda javës së ardhshme fillon prezantimi i kandidatëve nëpër komuna të tjera dhe do t’i vijë radha edhe Prishtinës”, ka treguar Çelaj./Indeksonline/