LDK-ja, e vetmja që do qeveri teknike

Pavarësisht se nuk kanë dalë rezultatet përfundimtare, paraprakisht të gjitha partitë politike në Kosovës e dinë tashmë pozicionin e tyre parlamentar.
Për pos kësaj, përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës, asnjë nga partitë nuk mbështesin idenë e ngritjes së një qeverie teknike. Drejtuesi i LDK-së, Isa Mustafa, ka shprehur idenë e një qeverie teknike, por kjo nuk është mbështetur nga partitë e tjera, as nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia më e afërt me të.
Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i AAK-së, i ka thënë Kohës Ditore se kusht për secilin subjekt kanë që liderin e partisë së tyre, Ramush Haradinaj, ta bëjnë kryeministër. “Qëndrimi i Aleancës është i pandryshueshëm, ndaj çfarëdolloj matematike. Aleanca bëhet pjesë vetëm kur kryeministër është Ramush Haradinaj–qoftë ajo qeveri me mandat të plotë, qoftë ajo qeveri teknike”, ka thënë Ramadani. “Përndryshe, Aleanca nuk bëhet pjesë e asnjë lloj qeverie, asnjë lloj matematike, as të Hashim Thaçit e as të Isa Mustafës”, ka shtuar ai.
Për nga përqindja e rezultatit preliminar që ka dhënë KQZ-ja për zgjedhjet e 12 dhjetorit, AAK-ja është subjekti i katërt politik me 10.8 për qind. Sipas këtyre rezultateve, PDK-ja kryeson me 33.5 për qind, dhe pasohet nga LDK-ja me 23.6 për qind, lëvizja “Vetëvendosje” me 12.2 për qind dhe AKR-ja me 7.1 për qind.
Rezultatet po konsiderohen të manipuluara dhe po kontestohen nga LDK-ja, kryetari i së cilës po insiston që në vjeshtën e vitit të ardhshëm të organizohen zgjedhje të reja. Mustafa ka thënë se asnjë qeveri që formohet mbi rezultatin e këtyre zgjedhjeve nuk ka legjitimitet. Prandaj, do qeveri teknike.
“Unë mendoj se domosdo duhet të shkojmë së shpejti në zgjedhjet e reja, sepse është e pamundur, të themi, që organet, edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, edhe Qeveria e Kosovës, të ketë legjitimitet të qëndrueshëm”, ka thënë Mustafa.