LDK-ja kërkon dorëheqjen e Mujës

Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) në Prizren, akuzoi pushtetin lokal se më shumë po merret me përgatitjen e mbrojtjes në gjykatë se sa me punët e tyre të Komunës.
“Që nga fillimi i rastit gjyqësor kundër kryetarit të Komunës Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve të tjerë, ka tërhequr vërejtejen se ky pushtet i brishtë komunal, tashmë më shumë do të merret me përgatitjen e mbrojtjes se sa me punët e tyre që dalin nga Ligji për Vetqeverisjen Lokale”, tha zëdhënësi i LDK-së, Nderim Gashi.
Sipas tij, rasti i thirrjes së mbledhjes së Kuvendit Komunal dhe shtyrja e kësaj mbledhjeje për shkak të seancës gjyqësore, dëshmon se ky pushtet do të vazhdojë t’i injorojë përgjegjësitë e veta në funksion të përgatitjes së mbrojtjes së tyre, raporton PrizrenPress
“Dega e LDK-së beson se tërheqja nga detyra zyrtare e të gjithë të akuzuarve, për t’u marrë me mbrojtjen do të ishte akti i fundit moral, nëse ka mbet fije morali tek këta zyrtarë. Akti moral do ta lejonte edhe drejtësinë që ta thotë fjalën e vetë i pandikuar nga politika”, tha Gashi. /Indeksonline/