E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK-ja nuk donë bllok opozitarë në Kuvend

Në Kuvendin e Kosovës, nuk do të këtë bllok opozitarë, të cilin e ka propozuar Lëvizja Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se nuk duan blloku opozitar, të formës së shkruar. Zyrtarë të LDK-së, thonë se në shumë raste e kanë mbështetur VV-në.

“Ne jemi parti të ndryshme, po të ishim të njëjta në program dhe mendime, atëherë nuk do të kishte kuptim. Ne, në shumë raste e kemi mbështetur Vetëvendosjen, dhe duhet të koordinohemi edhe më tutje, por jo të kemi dokumente për këtë punë”, tha për KTV-në, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Nga ana tjetër, Vetëvendosje thotë se në shumë raste opozita mendon si pozita.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se sjellja e forcave opozitare është e çuditshme.

“Opozita në shumë raste mendon si pozita. Thonë se janë opozitë, e nuk janë të gatshëm të ndërmarrin diçka si opozitë”, tha Imeri.

Kohëve të fundit, kreu i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti janë takuar disa herë, me qëllim për tu koordinuar në Kuvend.

Siç dihet, të hënën, me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje u zhvillua edhe një takim me LDK-në, në zyrën e LDK-së. Ky është takimi i tretë në kuadër të angazhimeve për bashkërendim strategjik të opozitës në Kuvendin e Republikës i cili po shpërfillet nga Qeveria e Kosovës, thuhej në komunikatën e Vetëvendosjes. Duke pasur parasysh dëmtimin e përshpejtuar të shtetit dhe territorit, ekonomisë dhe pasurisë së Kosovës nga Qeveria aktuale, në këtë takim, Lëvizja Vetëvendosje! paraqiti propozimin për një bllok opozitar. Qëllimi i tij do të ishin zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke dinamizuar opozitën në muajt në vijim përmes disa komisioneve hetimore parlamentare e seancave të jashtëzakonshme në Kuvend si dhe bashkëpunimit për parandalimin e privatizimit të PTK-së.

Po ashtu, dialogu politik Kosovë-Serbi në Bruksel i cili po zhvillohet pa transparencë, me marrëveshje të pashkruara dhe duke shkelur edhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të 18 tetorit 2012, tash po rezulton me marrëveshjen Thaçi-Daçiq që duket qartë se do të jetë në kundërshtim me vullnetin e popullit, interesin dhe rregullimin e brendshëm të shtetit, barazinë e reciprocitetin. Prandaj, sipas Vetëvendosjes, blloku i tillë opozitar do të duhej të deklarohet e angazhohet për ndaljen e këtij dialogu politik. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›