LDK-ja nuk kërkoi interpretimin e Kushtetueses

Çështja e ndryshimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit është bërë mollë sherri në mes partive në pozitë dhe partisë më të madhe opozitare LDK, që ishte pjesë e marrëveshjes politike në mes tre liderëve politikë.
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte paralajmëruar se nëse nuk do të respektohet marrëveshja në mes tre liderëve politikë që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit, ata nuk do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese. Zyrtarë nga kjo parti patën thënë se është PDK-ja ajo që nuk po e respekton marrëveshjen.
Këtyre deklaratave ditë më parë u është përgjigjur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se ai po e respekton në përpikëri edhe marrëveshjen politike, edhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kur është fjala për interpretimin kushtetues që ka të bëjë me mandatin e Presidentes, Thaçi ka thënë se tek e fundit është vetë LDK-ja ajo që ka kërkuar një interpretim të tillë.
“Unë respektoj në përpikëri marrëveshjen dhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese në të njëjtën kohë. Partitë politike dhe asnjë lider politik nuk mund ta sfidojë vendimin e institucioneve të pavarura. Tek e fundit, vetë kjo parti e ka kërkuar interpretimin nga Gjykata Kushtetuese dhe tash ai vendim i Gjykatës Kushtetuese është një vendim, është një realitet, por ne duhet të gjejmë përsëri mënyrat dhe mundësitë e bashkëpunimit, sepse është në interesin e shtetit, është në interesin e të gjithëve t’i përmbyllim bashkërisht reformat, por puna do të vazhdojë dhe një parti e vetme nuk do të mund t’i bllokojë reformat demokratike të ecjes përpara të Kosovës, por e mira do të ishte që të ecim të gjithë së bashku dhe unë kam besim se këtë veprim të pastudiuar mirë do ta rimendojnë edhe ata dhe do të rikthehen”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Por shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, këto deklarata të kryeministrit Thaçi, i quan “rrena ordinere”, duke shtuar se LDK-ja si parti nuk ka kërkuar interpretimin e Kushtetueses për amendamentet të kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit.
“Një rrenë ordinere, që me vjen keq me u shpreh, por si duket disave pa iu thënë kësisoj nuk po e kuptojnë, e ajo ka të bëjë me deklarimin se interpretimin e amendamenteve Kushtetuese që dalin në bazë të Rezolutës dhe të marrëveshjes dhe pas hartimit të punës që e ka bërë Komisioni Kushtetuese në këtë rast, këtë interpretim e ka kërkuar LDK-ja. Kjo është një e pavërtetë, kjo është një rrenë, sepse këtë interpretim, këtë mund ta dëshmoj edhe me argumente. Këtë interpretim fillimisht, edhe herën e parë edhe të dytën e ka kërkuar kryetari i Kuvendit mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës në nenin 144”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se kërkesa që i është bërë Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e amendamenteve është e nënshkruar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe nuk është bërë në emër të ndonjë partie politike, pasi që nënshkrimet janë bërë nga deputetët e partive të ndryshme, ku më së shumti ka pasur të PDK-së.
Sipas Beqirit, në këtë kërkesë shkruan se “në bazë të nenit 144 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ne, grupi i deputetëve nënshkrues propozojmë ndryshimin dhe amendamentimin e Kushtetutës”, dhe nuk shkruan se kjo kërkesë është bërë nga ndonjë parti e veçantë politika parlamentare.
Beqiri ka thënë se në listën e nënshkrimeve të kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese janë 16 deputetë të PDK-së, 7 të LDK-së, 9 të AAK-së dhe 5 të AKR-së.
Ai ka shtuar se deklaratat që janë plasuar në opinion nga kryeministri Thaçi po bëhet për të krijuar mjegull te qytetarët dhe për ta paraqitur LDK-në si bllokuese dhe si parti e cila s’i zbaton vendimet e institucioneve, siç është mendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Më tej Beqiri ka thënë se kurrë LDK-ja nuk e ka kontestuar të drejtën e Gjykatës Kushtetuese që ta japë mendimin e vet për çështje të caktuara kushtetuese, duke shtuar se as mendimi që është dhënë prej saj në këtë rast nuk është i obligueshëm, pasi që, sipas tij, ai interpretim ka pasur më shumë konotacione politike sesa juridike.
Ai duke e parafrazuar interpretimin e Kushtetueses, ka thënë se në atë interpretim thuhet se “Populli është në pritje që Presidentja ta çojë mandatin deri në fund”.
Beqiri ka shtuar se burimi i të gjitha këtyre problemeve është kryeministri Thaçi, pasi që gjatë zgjedhjeve në Ferizaj kishte deklaruar se zgjedhjet nacionale do të mbahen në vitin 2014, duke e shkelur kështu marrëveshjen politike dhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës.
“Burimi i të gjitha problemeve rreth kësaj është kryeministri Thaçi, është shumë e qartë dhe realisht ai është pengesa kryesore. Të mos e harrojmë edhe një fakt se qysh gjatë zgjedhjeve në Ferizaj, Thaçi, pa mendim fare të Gjykatës, ka thënë publikisht se zgjedhjet nacionale do të mbahen në vitin 2014, që do të thotë se qysh atëherë e ka shkelë marrëveshjen dhe Rezolutën e Kuvendit”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se me një qasje të tillë po mbyllet mundësia që në të ardhmen të ketë marrëveshje politike, pasi që sipas tij, nuk ka mbetur besë në këtë drejtim.
I pari i Grupit Parlamentar të LDK-së i ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit Thaçi se me interpretimin e kushtetueses më së shumti është dëmtuar PDK-ja, pasi që, sipas tij, po të shkohej në zgjedhjen e Presidentit, edhe këtë post do ta fitonte PDK-ja, Beqiri ka thënë se ky është arsyetim qesharak, duke shtuar se askush nuk po i ndalon për ta fituar atë post me zgjedhje, por sërish kërkon që të respektohet marrëveshja.
“Keni dëgjuar edhe një arsyetim nganjëherë qesharak që të thuhet se më së shumti është goditur PDK-ja nga mendimi i Gjykatës, sepse do ta fitonim vendin e Presidentit. Po kurrkush nuk po ua ndalon, nëse ia japin votat qytetarët, lë ta fitojnë, por të respektohet marrëveshja”
I pyetur se a mban përgjegjësi LDK-ja nëse vendi shkon në krizë institucionale me mosvotimin e amendamenteve kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit, Beqiri nuk ndjehet fajtor në këtë drejtim, duke shtuar se LDK-ja e ka dëshmuar veten edhe më herët se është kontribuuese e zhbllokimit të proceseve, kurse për PDK-në ka thënë se po e fut vendin në krizë institucionale me mosrespektimin e marrëveshjes./kosovapress/