LDK nuk e do luftën prandaj është për dialog

Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është në interes të Kosovës.Dialogun duhet ta përkrahin edhe deputetët e opozitës pasi alternativa e këtij procesi është lufta. Strukturat ilegale serbe në Veri duhet të zhbëhen si rrjedhojë e bisedimeve.
Por pushteti në Veri duhet të shtrihet edhe me agresivitet, ka thënë për Exxpres, anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni.
“Me Serbinë asnjëherë nuk guxon dhe s’duhet të bisedohet statusi i Kosovës. Pavarësia është çështje e mbyllur dhe LDK-ja e ka mbajtur këtë qëndrim se çështja e rregullimit të brendshëm të Republikës së Kosovës është zgjidhur njëherë e mirë në Vjenë në negociatat, që e kanë prodhuar Planin e Ahtisaarit. Pra, ka një plan gjithëpërfshirës, ka një Kushtetutë, prandaj LDK-ja kërkon që Kushtetuta të respektohet”, ka thënë Hyseni.
Sipas Hysenit, dialogu duhet të vazhdojë edhe pse për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë mund të kalojnë vite të tëra.
“Do të jetë vështirë, por gjithsesi vështirësia e realizimit të një projekti, vështirësia e arritjes së një objektivi, një caku të caktuar nuk duhet t’ju pengojë që t’ia filloni punës. Kosova ka bërë mirë që bën dialog me Republikën e Serbisë për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve të pavarura dhe sovrane”, ka theksuar Hyseni./Indeksonline/