LDK shënon 20-vjetorin e themelimit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po shënon 20-vjetorin e themelimit. Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, tha se vizioni i LDK-së ka qenë dhe mbetet parti e vlerave të mëdha nacionale dhe evropiane. Kryesia e kësaj partie, në mëngjes, bëri homazhe te varri i kryetarit të parë të LDK-së, presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, ndërsa gjatë ditës mbajti një varg aktivitetesh të tjera
Në 20-vjetorin e themelimit, LDK u vlerësua sot nga zyrtarët e saj si parti që shënoi kthesën e madhe historike për Kosovën. E themeluar 20 vjet më parë, si lëvizje gjithëpopullore, LDK vuri në krye të saj ish presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, dhe u bë prijëse e institucioneve paralele në kohën e okupimit serb të Kosovës. Zyrtarë të lartë të kësaj partie vunë sot kurora lulesh në varrin e liderit të parë të LDK-së, Ibrahim Rugova si dhe vizituan selinë e kësaj partie që tash mban emrin “Shtëpia e Pavarësisë”.
Në manifestimin qendror, presidenti Fatmir Sejdiu i cili e mban të ngrirë postin e kryetarit të LDK-së, tha se kjo parti ka qenë dhe mbetet parti e vlerave të mëdha nacionale dhe evropiane.
“Pa dyshim që LDK e cila pati vizion të qartë për 10 vjeqarët e kaluar ka vizion edhe për të ardhmen e Kosovës demokratike të integruar në Evropë. Kam bindjen dhe besimin se LDK dhe njerëzit e saj do të vazhdojnë përpara sikur deri më sot sepse janë ata që krijuan dhe i dhanë shtat luftës politike për lirinë dhe pavarësinë dhe janë ata që me një jetë plurale politike e demokratike do t’i japin vlerë betejës sonë të përbashkët për ta shndërruar Republikën e Kosovës në një vend të mirëfilltë demokratik ku sundon rendi dhe ligji”, tha Sejdiu.
Lidhja Demokratike dhe lideri i saj Ibrahim Rugova punuan në çdo mënyrë, sipas presidentit Sejdiu, për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës.
“Kancelaritë më të mëdha të botës u hapen për prijësin e Kosovës Ibrahim Rugova i cili ua shpjegoi me mençuri dhe dije e maturi liderëve botërorë të vërtetën për Kosovës, për krimet e përditshme të aparatit shtetëror serb në Kosovë”, tha Sejdiu.
Por manifestimi qendror nxori në pah edhe rivalitetin e viteve të pas luftës që kishte kjo parti më Partinë Demokratike të Kosovës. Të dyja këto parti udhëheqin Kosovën në koalicionin, i cili u lëkund pas zgjedhjeve të sivjetme lokale. Edhe pse i ftuar nga LDK-ja të marrë pjesë në manifestim, kryeministri dhe lideri i PDK-së Hashim Thaçi u prit me fishkëllima nga anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së.
Në manifestim u shfaq edhe një dokumentar për punën e LDK-së gjatë këtyre viteve. Dokumentari filloi me kryetarin e ndjerë Ibrahim Rugova dhe përfundoi me paraqitjen e Isa Mustafës, njeriut që mori më së shumti vota nga gjithë kandidatët e LDK-së në zgjedhjet e fundit. Mustafa shikohet edhe si favorit për lider të ardhshëm të LDK-së.
Telegram urimi për përvjetorin e LDK-së kishte dërguar kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Për të kujtuar vendin dhe mënyrën sesi u morr vendimi për themelimin e LDK-së, zyrtarë të kësaj partie pinë edhe nga një kafe në restorant ELIDA në Prishtinë si dhe vunë gurthemelin e ndërtimit të selisë së re të partisë. (RTK)