Shansi i radhës për Komunën Veriore të Mitrovicës

Pjesëmarrja e serbëve jugorë në zgjedhjet lokale të Kosovës dhe krijimi i komunave të reja në bazë të Planit të Ahtisaarit, përkundër thirrjes së Beograd për bojkot, ka nxitur interesim te serbët veriorë për projektin e decentralizimit.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Zyra Civile Ndërkombëtare që menaxhojnë planin e decentralizimit kanë njoftuar se javëve të fundit janë lajmëruar shumë qytetarë të interesuar për t’u bërë pjesë e ekipit për themelimin e Komunës së Mitrovicës Veriore.
ICO’ja dhe Ministria e Pushtetit Lokal bashkërisht kanë vendosur që të lëshojnë një thirrje të re për aplikime për ekipin përgatitor komunal për të zgjeruar mundësinë e pjesëmarrjes së një numri gjithnjë në rritje të njerëzve të interesuar.
“Ky është një tjetër hap përpara në procesin e decentralizimit. Besoj se komunat e reja dhe ato të zgjeruara, që kohëve të fundit kanë kaluar nëpër zgjedhje të suksesshme lokale, u kanë dhënë një shembull pozitiv njerëzve që jetojnë në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë të mërkurën Zëvendësshefi i ICO’së, Fletcher Burton.
“Unë i inkurajoj qytetarët e kualifikuar të Mitrovicës që të dalin në pah dhe të aplikojnë për të qenë pjesë e ekipit që do të vërë gurthemelet e një të ardhmeje të re për komunitetin e tyre. Decentralizimi është një mundësi për njerëzit në Mitrovicën e Veriut, posaçërisht për pjesëtarët e komunitetit serb të Kosovës, për të dalë në pah për të ndikuar në të ardhmen e tyre”, ka theksuar ai.
Sipas amerikanit Burton, krijimi i Komunës së re të Mitrovicës Veriore do ta sjellë qeverisjen komunale më afër komunitetit me synim përmirësimin e shërbimeve dhe të infrastrukturës, si dhe shtimin e transparencës dhe llogaridhënies.