E Shtunë, 31 Tetor 2026

LGBT: Partia Socialiste, homofobike. Nuk ka në program çështjet tona

Ambasada “PINK/LGBT Pro Albania”, ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për programin e Partisë Socialiste, e cila sipas tyre nuk përfshin në të çështjet e këtij komuniteti.

Sipas tyre, programi i Partisë Socialiste është diskriminues dhe se forca më e madhe opozitare në vend, tregon në këtë mënyrë se ka qëndrime homofibie.

“Programi i PS supozohet se është programi qeverisës për këtë parti, nëse ajo vjen në Qeveri. Por ndërkohë, problemet, shqetësimet, kërkesat dhe nevojat e komunitetit LGBT vazhdojnë të mbeten të pashprehura dhe të paadresuara, për aq kohë sa politika vazhdon të përforcojë margjinalizimin, injorimin dhe veçimin e këtij grupi social nga pjesa tjetër e shoqërisë”, thuhej në deklaratë.

"Duke u njohur me këtë program dhe më konkretisht me seksionet “ripërtëritje e shoqërisë dhe “rivendosje e demokracisë” vërejmë se programi flet për përmirësimin e shërbimeve jetike të domosdoshme që të përballohen e arrihen nga të gjithë, për edukim, dituri dhe kulturë të arritshme nga të gjithë, për shërbime shëndetësore të barabarta, universale dhe solidare, kujdes për familjen, fëmijet dhe të moshuarit etj.”

“Por programi i PS në asnjë rast nuk arrin të përmendë aksesin e këtyre shërbimeve nga komuniteti LGBT”, vijon më tej.

Më tej “PINK/LGBT Pro Albania”, ka akuzuar Partinë Socialiste se qëndrimet e saj janë kundër të drejtave të njeriut, dhe i kanë bërë thirrje që të japë një zgjidhje konkrete në program për këtë komunitet.

“Ambasada PINK beson se programi i Partisë Socialiste duhet që shprehimisht të përfshijë komunitetin LGBT në programin e saj elektoral dhe duhet të ofrojë zgjidhje konkrete dhe të prekshme për këtë grup social ashtu si për çdo grup tjetër të shoqërisë shqiptare.”

“Ambasada PINK është e gatshme ti ofrojë Partisë Socialiste dhe të gjitha partive të tjera politike, bashkëpunimin dhe ekspertizën e saj në identifikimin dhe ofrimin e zgjidhjeve për çdo problem dhe shqetësim të komunitetit që ajo përfaqëson”, përfundon deklarata./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›