LGBT e zhgënjyer me Berishën pse kandidoi Ekrem Spahinë
Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT dhe Pro LGBT, dy shoqata që mbrojnë të drejtat e homoseksualëve, kanë mbetur të zhgënjyera nga PD dhe kryeministri Sali Berisha. Kjo, duke qenë se Berisha ka futur në listën e deputetëve të sigurtë, Ekrem Spahinë.
Ju e dini shumë mirë zoti Berisha se, Spahiu dhe partia që ai përfaqëson kanë dallime thelbësore me Partinë Demokratike. Po ju sjellim një shembull konkret.
Gjatë takimit që patëm në zyrën tuaj, ju na siguruat se partia që ju drejtoni është e vendosur që të luftojë diskriminimin e LGBT. Ju madje u shprehët edhe se nuk shikoni asgjë të keqe nëse dy meshkuj apo dy femra që dashurohen të jetojnë bashkë. Mirëpo, Partia Lëvizja për Legalitet jo vetëm që nuk mund të luftojë diskriminimin, por ajo është shembulli tipik se si nuk duhet të jetë një forcë politike.
Në programin e publikuar në faqen e vet, PLL kërkon kriminalizimin e homoseksualizmit, pra kërkon të na çojë disa dekada pas në kohë. Kjo pjesë programore përbën madje shkelje të rëndë të ligjeve dhe të frymës së Kushtetutës, duke e bërë këtë forcë një parti në kufijtë e të qenit legale.
Zoti Berisha! Ne gjykojmë se një lider politik në proçesin e zgjedhjes së grupit parlamentar duhet të bazohet sidomos në vlerat dhe parimet e demokracisë dhe një prej vlerave thelbësore është ajo e mosdiskriminimit dhe ajo e respektimit të të gjitha pakicave. Në asnjë mënyrë dhe për asnjë motiv ne nuk mund të shkojmë përpara në Europë me deputetë si Ekrem Spahiu, thuhet në deklaratën e këtyre dy shoqatave./b.l