E Diel, 1 Nëntor 2026

LIBAN – Aoun mbështet negociatat me Izraelin, Hezbollahu i cilëson “dorëzim”

BEJRUT, 22 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti i Libanit, Joseph Aoun deklaroi sot se vendi i tij mirëpret ndihmën ndërkombëtare, për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hezbollahut, por theksoi se nuk do të pranojë ndërhyrje të huaja në çështjet e brendshme.

“Ne jemi një shtet sovran dhe askush nuk negocion në emrin tonë”, tha Aoun, sipas presidencës libaneze, duke shtuar se vetëm shteti, mund të garantojë mbrojtjen e të gjithë qytetarëve dhe duke bërë thirrje për unitet kombëtar, në mes të konfliktit.

Deklaratat e tij vijnë në prag të një raundi të ri bisedimesh mes Libanit dhe Izraelit, që pritet të nisë nesër në Uashington.

Zyrtarët libanezë kanë bërë të ditur se negociatat synojnë arritjen e një armëpushimi të përhershëm, tërheqjen e forcave izraelite dhe rivendosjen e plotë të sovranitetit të Libanit.

Nga ana tjetër, Hezbollahu i mbështetur nga Irani reagoi ashpër ndaj procesit, duke akuzuar autoritetet libaneze, se po ndjekin direktivat amerikane dhe po komprometojnë sovranitetin e vendit.

Në një deklaratë, grupi shiit i cilësoi negociatat si një akt “nënshtrimi dhe dorëzimi”, duke pretenduar se zyrtarët libanezë po mbështesin politika të diktuara nga Uashingtoni.

Hezbollahu tha se kundërshton si bisedimet, ashtu edhe çdo marrëveshje, që mund të dalë prej tyre, duke argumentuar se negociatat pengojnë përpjekjet, për të siguruar tërheqjen e plotë të Izraelit nga territori libanez.

Organizata akuzoi gjithashtu, qeverinë se po vepron në mënyrë të njëanshme dhe po i përgjigjet objektivave amerikane dhe izraelite, duke paralajmëruar se procesi, mund të rrisë rreziqet për stabilitetin, pavarësinë dhe sovranitetin e Libanit.

Megjithatë, qeveria libaneze ka mbrojtur dialogun e drejtpërdrejtë me Izraelin, duke e konsideruar atë, si rrugën më efektive për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa këmbëngul se përpjekjet diplomatike të Bejrutit, mbeten të pavarura dhe të orientuara nga interesat kombëtare.

Ndërkohë, gjatë një konference në Jerusalem, presidenti izraelit Isaac Herzog deklaroi se konflikti duhet të zgjidhet përmes bisedimeve të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit, “dhe jo përmes shantazhit iranian”.

Sipas Herzog, lidhja e Iranit me Libanin përbën një kërcënim të vazhdueshëm për Izraelin dhe, njëkohësisht, e mban Libanin të dobët dhe të pafuqishëm për të ecur përpara.

Ai shtoi se çarmatimi i Hezbollahut duhet të jetë një element kyç, i çdo zgjidhjeje politike dhe se Irani nuk duhet të përcaktojë të ardhmen e Libanit.

Qeveria libaneze nuk është palë në konfliktin aktual mes Izraelit dhe Hezbollahut dhe po përpiqet të ulë tensionet, ndërsa paralelisht synon të kufizojë ndikimin iranian në vend. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›