LIBAN – Mbi 3 000 viktima, ndërsa lufta vazhdon pavarësisht armëpushimit

BEJRUT, 18 maj /ATSH-DPA/ – Më shumë se 3 000 persona janë vrarë në Liban në konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut, thanë autoritetet.
Ministria libaneze e Shëndetësisë raportoi sot se 3 020 persona janë vrarë dhe 9 273 janë plagosur që nga fillimi i përshkallëzimit të fundit në fillim të marsit.
Ministria nuk bën dallim mes civilëve dhe anëtarëve të milicisë Hezbollah, e mbështetur nga Irani.
Lufta mes Izraelit dhe Hezbollahut u rindez në sfondin e konfliktit më të gjerë që përfshin Iranin, duke sjellë rifillimin e luftimeve të hapura në Liban.
Një armëpushim u arrit fillimisht në mesin e prillit, por të dyja palët kanë vazhduar sulmet pavarësisht marrëveshjes.
Një zgjatje e armëpushimit, e njoftuar të premten, deri tani nuk ka arritur të ndalë përleshjet.
Përleshjet vazhduan edhe sot, ndërsa ushtria izraelite tha se kishte vrarë një komandant të Xhihadit Islamik Palestinez në luginën Bekaa, në lindje të Libanit.
Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA raportoi gjithashtu për disa sulme izraelite në jug të Libanit, ku trupat izraelite vazhdojnë të jenë të dislokuara.
Nga ana e saj, Hezbollah tha se kishte kryer disa sulme kundër pozicioneve izraelite në zonë.
Ndërkohë, presidenti libanez Joseph Aoun ritheksoi angazhimin e tij për t’i dhënë fund luftës, sipas NNA-së.
Aoun premtoi se do të “bëjë të pamundurën” për t’i dhënë fund konfliktit./ /Ad.Ab./ a.jor.