Beteja e Llapushnikut, njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së

“Beteja e Grykës së Llapushnikut ka thyer mitin e pathyeshmërisë së forcave të armikut”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi i cili e ka vlerësuar lart rolin e Betejës së Grykës së Llapushnikut për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kuvendi i Kosovës mbajti sot një seancë plenare, në shenjë të 15-vjetorit të Betejës së Llapushnikut. Në këtë betejë, e cila u zhvillua me 8, 9 dhe 10 maj të vitit 1998 kanë ranë 47 dëshmorë dhe 54 martirë.
Mbyllja e Grykës së Llapushnikut kishte një rëndësi të veçantë jo vetëm për Drenicën dhe zonën e Pashtrikut, por edhe për gjithë Kosovën, pasi që forcat serbe rrugën e Llapushnikut e kishin kryesore për të bartur artilerinë, për ta përdorë kundër popullatës së pafajshme në Kosovë. Kështu tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në nderim të 15 vjetorit të kësaj beteje që la gjurmë të pashlyera në historinë e çlirimit të Kosovës.
“Mbyllja e Grykës së Llapushnikut qe nga ngjarjet më të rëndësishme të UCK-së. Kjo bëri që Hollbruk të alarmonte botërisht mbi çështjen e rrezikshmërisë së gjendjes në Kievë. Celsi i Kievës gjendej në Grykën e Llapushnikut dhe në Dolt në Malet e Gllarevës. Mbyllja e Grykës, jo vetëm që shndërroi tërë Llapushnikun në territori të lirë por edhe një pjesë të madhe të Kosovës por ishte edhe urë ndërlidhëse e të gjitha zonave të lira të UCK-së”, tha Krasniqi.
Ndërsa Fadil Demaku duke kujtuar sakrificën dhe luftën që kanë bërë në këtë pjesë të Kosovës, Pëllumi, Guri, Çeliku dhe Lumi, vlerësoi se Beteja e Grykës së Llapushnikut ishte sfida më e madhe dhe më sprovuese në përballje me forcat pushtuese serbe.
“Ishte organizimi i parë i sulmeve dhe luftimeve në një front të gjerë, aty morën pjesë luftëtarë të orëve të para ata që me pas ishin bartës të luftës në shumë beteja anë e kënd vendit e shumë prej tyre tani janë dëshmorë të kombit. 15 vite pas atyre zhvillimeve të jashtëzakonshme, flasin emrat e dëshmorëve të kombit të cilët lanë gjurmë të pashlyera në këto beteja”, tha Demaku.
Në Betejën e Llapushnikut të zhvilluar me 8, 9 dhe 10 maj të vitit 1998 ranë 47 dëshmorë dhe 54 martirë./Indeksonline/