LOBUESIT E REGJIMIT TË BERISHËS
Nga GJERGJ THANASI
Cili jeni ju zoti Wisner?!
Firma lobuese amerikane Patton Boggs, emri i së cilës po përmendet kaq shumë ne lidhje me seminarin e mbajtur në Nju Jork për promovimin e investimeve amerikane në Shqiperi, ka një histori veprimtarie jo fort të nderuar në tokat shqiptare. Në Republikën e Kosovës ajo kreu disa kontrata lobuese për një vizitë të Kryeministrit Thaçi në Uashington. Në 5 nëntor 2010 Qeveria e Kosovës e ndërpreu në mënyrë të një anshme kontratën me Patton Boggs. Të paktën zyrtarisht nuk u bënë të ditura shkaqet e ndërprerjes së marrëdhënieve të qeverisë kosovare me Patton Boggs. Në Shqipëri Patton Boggs së paku që në vitin 2008 u angazhua në kontrata këshillimi, avokatie e lobimi. Kështu për ndihmesën e dhënë në privatizimin e Albetrolit ajo dhe firma shqiptare e avokatisë Zaho Kosta Tashko përfituan 244 000 USD.
Në vitin 2010 u fol për një kontratë qeveritare me Patton Boggs me vlerë 5,5milion lekë të reja në muaj. Marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me firmën në fjalë vazhduan edhe në vitin 2011. Një nga pjesëtarët e firmës Patton Boggs është edhe Frank G. Wisner Jr. Qenia pjesë përbërësve e Patton Boggs e një individi si z.Wisner ngre pikëpyetje të mëdha se çfarë përfiton Shqipëria nga kryerja e pagesave të majme me para publike për të tillë personazhe.
Frank Wisner është i biri i një prej themeluesve legjendarë të CIA-s Frank Gardener Wisner senior, i cili u shqua në operacione të tilla spektakolare si përmbysja e Presidentit liberal Arbnez të Guatemalës në 1954, përmbysjen e Kryeministrit nacionalist e demokrat të Iranit Mosadekut etj. Si mik i spiunit të famshëm sovjetik Kim Filbit ai kontribuoi ndoshta pa dashje në dështimin e operacionit Valuable për pëmbysjen e diktatorit Enver Hoxha.
Faturën e dështimit të këtij operacioni anglo-amerikan e paguan nacionalistët shqiptarë me dhjetra të vrarë e të plagosur e me mijëra vite burg në lagerat e Enver Hoxhës. Veprimtaria e dyshimtë e Frank G.Wisner Sr. u hetua me urdhër të drejtpërdrejt të Hoover-it shefit legjendar të FBI-së.
Nga këto hetime (ndonëse fondet arkivore mbeten ende të mbyllura) dolën të dhëna të pakëndshme. Që në vitin 1944 Frank Wisner sr. u dyshua për qëndrime të papërshtatshme gjatë një operacioni per çlirimin dhe nxjerrjen jashtë Rumanisë të 1350 robërve amerikanë të luftës të kapur nga ushtria rumune e mbretit Michael. Në qëndrime të papërshtatshme përfshihen edhe marrëdhëniet e tij intime me princeshën rumune Caradja Kretzulescu pasardhëse e shtëpisë fisnike të Vlad Tepeshit.
Wisner Sr. në dhjetor 1956 u diagnostikua si maniak depresiv, gjendje e shkaktuar për shkak të brejtjes së ndërgjegjes nga dështimi i operacionit anti-bolshevik Valuable në Shqipëri dhe operacioneve për mbështetjen e patriotëve hungarezë gjatë revoltës antisovjetike të nëntorit 1956. Shtrimi për kurim në spitalin prestigjoz The Sheppard and Enoch Pratt Hospital, si edhe terapia me psikoanalizë dhe me elektroshok rezultuan jo efikase. Wisner sr. e mbylli jetën e vet duke u vetëvrarë me shotganin e të birit.
Wisner Jr. që na intereson ne shqiptarëve, gëzoi një karrierë diplomatike dhe një flirtim me CIA-n problematik dhe plot skandale. Në Filipine si ambassador i SHBA-së në vitet 1991-1992 u përfshi në skandalin e ndërtimit të dy TEC-eve për bazën ushtarake amerikane të Subic Bay-it. Firma Enron fitoi të drejtën e ndërtimit të dy TEC-eve duke ofruar një çmim dukshëm më të lartë se konkurenti, duke shkaktuar shpërdorim të parave të taksapaguesve amerikanë.
Në vitet 1994-1997 Wisner Jr. ishte ambasador në Indi. Gjatë qëndrimit në Indi ai u përfshi në skandalin e uzinës Dabhol Plant. Përfshirjen e Wisner-it në këtë skandal e ka dokumentuar gjerësisht Vijay Prashad, asistente profesore e studimeve ndërkombëtare në Trinity College Hartford Connecticut, në librin e saj: The Darker Nations:A peoples History of the Third Ëorld.
Kulmi i Wisner-it xhunior ishte përkarahja e tij për regjimin e faraonit Mubarak. Kur regjimi i Faraonitishte në grahmat e fundit, Wisner Xhunior u dërgua te Mubaraku nga Departamenti i Shtetit me porosi të Presidentit Obama me mesazhin ultimativ: Game Over (Loja mbaroi), largohu nga pushteti. Lobisti ynë bëri të kundërtën.
Wisneri më 5 shkurt 2011 në një prononcim në të mirënjohurën angleze BBC-i kundërshtoi deklaratën e Shtëpisë së Bardhë për largimin e Mubarakut nga pushteti, duke bërë një gafë të rëndë diplomatike thuajse një akt tradhëtie apo së paku shpërdorim të besimit publik. Wisneri e quajti qëndrimin e Mubarakut në pushtet si diçka kruciale për stabilitetin e Egjiptit dhe të tërë Lindjes së mesme. Deklarata të tilla ne shqiptarëve na bëjnë të buzëqeshim hidhur, sepse i kemi dëgjuar disa herë nga miq të huaj, që na kërkojmë tu bëjmë koncesione vlerave të demokracisë për hir të stabilitetit në Shqipëri. Departamenti i Shtetit u detyrua të përgënjeshtronte publikisht deklaratat shqetësuese të ambasadorit Wisner. Skandali u rëndua akoma më shumë, sepse ambasadori Wisner ishte anëtar i bordit drejtues të bankës më të madhe egjiptiane NBE (National Bank of Egypt), një nga bankat më të mëdha të Afrikës. Pra si të thuash kishim një konflikt të pastër interesi.
Ambasadori Wisner është gjithashtu mik me një biznesmen të fuqishëm egjiptian të përfshirë në shumë skandale, jo vetëm në Egjipt por edhe në vende të tjera si psh në skandalin e privatizimit me anë të letrave me vlerë në Republikën çeke në fillim të viteve 90-të. Miliarderi egjiptian quhet Shafik Gabr dhe është kryetar i bordit drejtues të kompanisë Artoc Investment.
Shafik Gabr dhe kompania e tij me moshë 40 vjeçare tashmë kanë filluar të kenë probleme si me udhëheqsit ushtarakë të Egjiptit post Mubarak, edhe me rininë e sheshit Tahrir edhe me mbajtësin e çmimit Nobel z.El Baradey, fakt ky, që ilustrohet mjaft bukur në artikullin e Lloyd Grove në Ëorld Neës me titull: Ëhat Egypts top Tycoon fears most. Kështu miqtë biznesmenë të ambasadorit Wisner po pësojnë fatin e padronëve të tyre diktatorë si puna e Mubarakut.
Sipas Ama News Agjensi për konferencën aq të debatueshme të Nju Jorkut njerëzit e Berishës i kanë paguar firmës Patton Boggs të ambasadorit Wisner 1,5 milion USD. Nuk e dimë nëse bëhet fjalë për para publike, për para të firmave pranë familjes kryeministrore apo para pjesë e fitimeve të Studios avokatore Malltezi-Breçani ose para të fituara nga Shkëlzeni me anë të ndërmjetësimit në shitblerjen e pasurive të patundshme siç ai shkruan në deklaratat e pasurisë.
Megjithatë, Mubarakut nuk i bënë fajde përkujdesjet lobiste të ambasadorit Wisner. Askush nuk mund ta parashikojë nëse Sali Berisha i Shqipërisë do jetë më me fat se faraoni Mubarak dhe do ti rezultojnë të dobishme veprimtaritë e tipit PR, që i ka kryer ambasadori Wisner dhe firma avokatore lobuese Patton Boggs.
Fundi i fundit, kur një ish ambassador amerikan i var kollaren Departamentit të Shtetit, dëmton interesa të qënësishme kombëtare të Amerikës dhe i hap telashe diplomatike vetë Presidentit Obama, çmund të presë Shqipëria dhe shqiptarët nga një lobist i këtij kallëpi?!