E Shtunë, 31 Tetor 2026

LOJA E DEMSHME ME TERMAT

Loja me fjalët është e vjetër sa fjalët. Ajo është përdorur në vazhdimësi për të mirë e për të keq, për të qeshur e për të qarë, për të uruar e ngushëlluar, për të "shëruar" apo për të "vrarë". Kuptohet që funksionet ekstreme të fjalëve nuk barten e nuk shfaqen njëherësh nga kjo apo ajo fjalë. Efekti i dyfishtë i kuptimit të çdo fjale varet nga konteksti i përdorimit, momenti i përdorimit, ngjyrimi emocional (e thënë me seriozitet apo me ironi), predispozita e dëgjuesit etj. Këta faktorë janë të pranishëm dhe ndikues edhe në përdorimin e termave, që janë përsëri të ndjeshëm ndaj tyre.

E kam fjalën për dëmin aktual të përdorimit, me dashje apo për motive emocionale, të termave me "peshë" në strukturat politike dhe në opinion e gjerë, shfaqjen dhe vërshimin në median e shkruar dhe elektronike të termave "pavarësi", "sovranitet", "integritet", "shoqëri civile" etj., sidomos pas nënshkrimit të "Protokollit për bashkëpunimin me policinë e Serbisë mes EULEX-it dhe palës serbe". Këta terma janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren me një farë nervozizmi mosbesues, për arsye të trajtimit dukshëm të diferencuar nga EULEX-i i veprimeve protestuese të shqiptarëve në Prishtinë, në krahasim me reagimin e njëkohshëm të EULEX-it ndaj turmës së armatosur të serbëve, që sulmoi ndërtuesit shqiptarë të shtëpive në veriun e Mitrovicës.

Përdorimi i termave jo në përputhje me përmbajtjen e saktë të tyre nuk është vetëm jokorrekt, por edhe i dëmshëm. Kjo dukuri, fatkeqësisht, po shfaqet e megjithatë e konsideroj fatmirësi numrin jo të shumtë të keqpërdoruesve të tyre. E konsideroj të tillë, duke pasur parasysh gjurmën që mund të lërë keqkuptimi dhe keqinterpretimi i tyre te dhjetëra mijë shqiptarë të Kosovës, të cilët sakrifikuan në dekada dhe derdhën gjak për Kosovën e pavarur e sovrane. Njëherësh, e konsideroj po fatmirë edhe faktin që këta vëzhgues dhe interpretues pesimistë të zhvillimeve më të fundit politike në Kosovë, përgjithësisht e duan jashtë çdo dyshimi konsolidimin e shtetit tonë dhe Kosovën të pavarur e sovrane.

Të duash nuk është e mjaftueshme, sepse duhet edhe të dish të duash. Nervozizmi dhe paniku, që lindi dhe mori udhë me mosrakordimin mes institucioneve më të larta të Kosovës dhe EULEX-it për protokollin e kësaj të fundit me Serbinë për rendin, jo vetëm nuk i shërben zgjidhjes e qetësimit të situatës, por, përkundrazi. Duke thënë e publikuar se tani Kosova është një vend i pavarur, por pa sovranitet; sovraniteti mbështetet në idenë që populli duhet të vendosë në çdo rast dhe kurdoherë për fatin e vet, pra të vendosë për krijimin e shtetit, miratimin e Kushtetutës dhe për çdo ngjarje tjetër madhore me referendum, pa ndërmjetësinë e Parlamentit etj... Me këto jo vetëm nuk i ndihmojmë të vërtetës dhe ecurisë normale të proceseve, por edhe bëhemi pengesë për to. Ndoshta arbitrarisht, por do ta quaja "demokraci romantike" idenë që populli ka të drejtën dhe mundësinë të vendosë për fatin e vet. Kosova, në vitin 1990, e bëri jo si tentativë, por si proces të plotë krijimin e shtetit dhe miratimin e Kushtetutës përmes referendumit popullor. Dhe fati përfundimtar i sakrificës popullore, të nxitur dhe të udhëhequr nga figura të njohura në politikë, tashmë dihet. Demokracia ngrihet, mbahet dhe funksionon nga përfaqësuesit e popullit, Kuvendi dhe Senati. Përfaqësuesit e popullit, të ndarë ose jo në dhoma ligjvënëse, vendosin vetë. Imuniteti ligjor nuk i lejon (i mbron) të mos mbajnë edhe vetë përgjegjësi.

Në Kosovë kemi kontribuar me sakrifica, luftë e flijim për të krijuar një shtet të pavarur e sovran. E arritëm këtë objektiv natyrshëm, në kufizim kohor, jo në mënyrë të plotë e përfundimtare. Mendoj se kjo i shtyn artikullshkruesit drejt një lloj paniku e pesimizmi, duke u deklaruar se Kosova i ngjason një protektorati të BE-së. Pa dashur t‘i kundërvihem këtij përfundimi, mendoj se nuk është kjo arsyeja thelbësore që Kosova nuk bën pjesë në BE, sepse ka edhe shtete të njohura botërisht të pavarura e sovrane, si Shqipëria, Islanda, Kroacia, Serbia, Maqedonia, Bosnja etj., që nuk janë ende anëtare të Europës së Bashkuar.

Në mbyllje të këtij shkrimi për dëmin e lojës me termat, dua të shpërfaq edhe një parashtrim e kuptim të pasaktë në ballafaqim të shoqërisë civile me institucionet shtetërore të Kosovës. Pas tubimit të zhvilluar në Prishtinë në kundërvënie të nënshkrimit të protokollit EULEX-Serbi, u deklarua në shtyp se është shoqëria civile që po vepron si subjekt politik dhe jo institucionet e Kosovës. Të gjykosh në këtë mënyrë do të thotë të devijosh nga kuptimi i natyrës së vërtetë të "shoqërisë civile" dhe i funksionimit të saj, që nuk ka për mision bërjen e politikës, por ndërgjegjësimin e saj, vënien më mirë të politikës në shërbim të plotësimit të interesave të qytetarëve. Termat ndikojnë mediadikisht dhe ndërkombëtarisht, ndërsa interesat, koniunkturat dhe përkatësitë emocionale politike e etnike mundësojnë shpërdorimin e kuptimit dhe të ndikimit të tyre. Ky shpërdorim nuk është më lojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›