E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Berisha duhet të mos prekë buxhetet lokale"

Pas akuzës së bërë një ditë më parë se Kryeministri Sali Berisha po mbledh taksat e pushtetit vendor për të mbushur arkën e qeverisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës zhvilloi dje një takim pa praninë e mediave me kryebashkiakët socialistë. Edi Rama nuk dha ndonjë koment lidhur me këtë takim, por kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, është shprehur se tema e diskutimit mes tyre ka qenë mbi projektligjin që zhvendos një prej taksave më të rëndësishme nga bashkia drejt qeverisë. Para mediave, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, tha se "ne jemi të shqetësuar që ky qëndrim vjen për shkak të mospërqasjes politike të vendit që përfaqësojmë ne, në këto bashki, në raport me qeverisjen qendrore. Kjo mospërqasje nuk duhet të kalojë në kurriz të investimeve që janë për qytetarët tanë, të cilët na kanë votuar dhe që i përfaqësojmë". Duke kritikuar qeverinë, ai theksoi se "këto iniciativa të ekzekutivit shqiptar bien ndesh me politikën e autonomisë vendore dhe ne jemi mbledhur sot në një takim dhe i bëjmë thirrje qeverisë që të mos kujtojë që ne do të kthehemi në një ndërmarrje komunale në varësi të Kryeministrit të Shqipërisë, por do të vazhdojmë të përshkallëzojmë qëndrimet tona për të garantuar me ato që na jep Kushtetuta". Ne, tha Gjika, do ta shtrijmë qëndrimin tonë në bashki dhe komuna të tjera, pavarësisht përfaqësimit të tyre politik dhe do ta bëjmë të njohur këtë në institucionet ndërkombëtare, fillimisht nga ato që përfaqësohen në Shqipëri, por edhe jashtë vendit. Gjithashtu në emër të kolegeve të tjerë, Gjika i bëri thirrje Kryeministrit Berisha që të hapë rrugë, t‘i lejojë qytetarët shqiptarë që pavarësisht se për kë kanë votuar, të shërbehen më cilësisht dhe t‘ju njihet e drejta për t‘u qeverisur dhe për të investuar të ardhurat. Sipas projektligjit të qeverise, taksa e ndikimit në mjedis nga ndërtimet i kalon pushtetit qendror për t‘u përdorur për infrastrukturën kombëtare. Projektligji është miratuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe pritet të kalojë në Kuvend për votim.

E.Gjura

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›