LONDËR – BM: Masat e sigurisë së SHBA-së mbeten të paprekura, pavarësisht zbulimit të planeve të luftës në Jemen

LONDËR, 25 mars /ATSH-DPA/- Britania e Madhe ka ende besim të lartë se masat e saj të sigurisë operacionale mbeten të paprekura, pavarësisht zbulimeve për një shkelje të madhe të sigurisë së SHBA-së.
Dje në mbrëmje, u raportua se zyrtarë të lartë amerikanë, duke përfshirë sekretarin e Mbrojtjes dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, dërguan mesazhe rreth planeve për një sulm në Jemen në një bisedë në grup në aplikacionin e mesazheve “Signal” që kishte përfshirë aksidentalisht një gazetar të “The Atlantic”.
I pyetur për incidentin, ministri i Forcave të Armatosura i BM-së, Luke Pollard i tha Komitetit të Mbrojtjes së Commons se asnjë personel i shërbimit britanik nuk ishte vënë në rrezik.
“I gjithë personeli i shërbimit në Britaninë e Madhe mbulohet nga qasja jonë normale ndaj sigurisë operacionale dhe komiteti duhet të kuptojë se unë nuk do të hyj në detaje se si ne e mbajmë të sigurt përfshirjen tonë në çdo mbështetje për operacionet ushtarake në Detin e Kuq apo kudo tjetër”, tha ai.
“Por ne kemi besim të lartë se masat që kemi marrë me aleatët tanë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbeten të paprekura”, shtoi ai.
SHBA kreu një seri sulmesh ajrore kundër grupit militant rebel Houthi në Jemen më 15 mars pas sulmeve të vazhdueshme ndaj anijeve në Detin e Kuq – një operacion në të cilin Britania e Madhe ofroi mbështetje për furnizimin me karburant ajër-ajër.
Por dy orë më parë, detajet e sulmit ishin dërguar në një bisedë të grupit në aplikacionin “Signal” që përfshinte zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance, sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe sekretarin amerikan te shtetit, Marco Rubio, ndër të tjera.
Bisedat janë të koduara, por nuk miratohen nga qeveria amerikane për diskutimin e materialit të klasifikuar.
Përdorimi i aplikacionit ku jepeshin detaje për sulmet ajrore doli në dritë për shkak se një pjesëmarrës kishte shtuar në grup, aksidentalisht kryeredaktorin e revistës “The Atlantic”, Jeffrey Goldberg. //a.i/