SHBA – Shtëpia e Bardhë: Rusia dhe Ukraina do të ndërpresin armiqësitë në Detin e Zi

UASHINGTON, 25 mars /ATSH-AFP/ – Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord të ndërpresin armiqësitë në Detin e Zi, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë, në dy deklarata të veçanta që detajojnë diskutimet e grupeve të punës në Arabinë Saudite.
Të dy vendet ranë dakord të “garantojnë sigurinë e lundrimit, të eliminojnë përdorimin e forcës dhe të parandalojnë përdorimin e anijeve tregtare për qëllime ushtarake në Detin e Zi”, sipas qeverisë amerikane, e cila veproi si ndërmjetëse gjatë këtyre negociatave.
Shtetet e Bashkuara zotohen gjithashtu, në lidhje me Ukrainën, të “mbështesin përpjekjet për shkëmbimin e të burgosurve, lirimin e civilëve dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të zhvendosur me forcë”.
Rusia, e cila është objektivi i sanksioneve të shumta, mund të llogarisë në mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë për të “rivendosur aksesin e Rusisë në tregun global për eksportet e produkteve bujqësore dhe plehrave, për të ulur kostot e sigurimit detar dhe për të përmirësuar aksesin në portet dhe sistemet e pagesave për këto transaksione”.
Gjatë bisedimeve, Shtetet e Bashkuara “përsëritën se presidenti Donald Trump kërkon dhënien fund të vrasjeve nga të dyja palët”.
Uashingtoni “do të vazhdojë të organizojë negociata midis dy palëve për të gjetur një rezultat paqësor”, sipas një paragrafi identik në të dyja deklaratat.
Administrata amerikane shprehu gjithashtu “mirënjohjen” e saj për princin saudit të kurorës, Mohammed bin Salman./ a.jor.