E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

LONDËR – BM pret Samitin e Procesit të Berlinit për çështjet e migracionit

LONDËR, 7 shkurt /ATSH/- Britania e Madhe do të presë liderët e Ballkanit Perëndimor për Samitin e Procesit të Berlinit në vjeshtën e vitit 2025, sipas britanikes “Mirage News”.

Britania e Madhe do të presë samitin me pjesëmarrjen e liderëve te Ballkanit Perëndimor në vjeshtën e vitit 2025.

Samiti do të nxisë bashkëpunimin me partnerët e Ballkanit Perëndimor për të trajtuar migrimin e parregullt përgjatë rrugëve kryesore të tranzitit, duke përmbushur Planin për Ndryshim të kryeministrit britanik, Keir Starmer.

Britania e Madhe do të presë këtë vit krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqës të tjerë evropianë në Samitin ndërkombëtar vendimtar – për të mbështetur stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon.

Samiti, gjithashtu do të fokusohet në mënyrën se si do të punohet për të luftuar migrimin e parregullt – ndërsa qeveria britanike është e fokusuar në përdorimin e çdo mjeti që ka në dispozicion për të kontrolluar kufijtë e BM-së.

I njohur zyrtarisht si Procesi i Berlinit, Samiti do të forcojë bashkëpunimin me partnerët evropianë – për të ndihmuar në zbatimin e strategjisë së qeverisë së Britanisë së Madhe për të forcuar kufijtë – për të shkatërruar bandat dhe për të kthyer në vendet e tyre ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BM.

Si një nga diplomatet më me përvojë të Britanisë së Madhe, Karen Pierce është emëruar e dërguara speciale e BM-së për Ballkanin Perëndimor – e ngarkuar për të çuar përpara objektivat strategjike të Britanisë së Madhe në të gjithë rajonin, duke përfshirë përgatitjet për Samitin.

Samiti, i organizuar në partneritet me Gjermaninë, nënvizon angazhimin e qeverisë britanike për të rivendosur marrëdhëniet e saj me Evropën dhe hapin e fundit në strategjinë e qeverisë për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme – për të luftuar grupet kriminale që lehtësojnë migrimin e parregullt.

Në janar, Britania e Madhe njoftoi gjithashtu planet për regjimin e parë të sanksioneve në botë për të shkatërruar rrjetet e trafikimit të njerëzve dhe për t’i zhdukur ata nga financat e paligjshme që nxisin operacionet e tyre.

Me tre aleatë të NATO-s të pranishëm në rajon, Ballkani Perëndimor është i një rëndësie kritike për sigurinë e Britanisë së Madhe dhe evropiane. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›