LONDËR – BM sanksione ndaj zyrtarëve rusë për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas

LONDËR, 3 shtator /ATSH-DPA/ – Nëna e një komandanti çeçen, zyrtarë rusë dhe një komandant ushtarak janë sanksionuar nga Britania e Madhe për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas.
Sanksionet vijnë pas raporteve se Moska ka deportuar me forcë gati 20 mijë fëmijë ukrainas drejt Rusisë dhe territoreve të pushtuara që nga fillimi i luftës në vitin 2022.
Prej tyre, rreth 6 000 thuhet se janë dërguar në një rrjet kampesh riedukimi, pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të zhdukur identitetin kulturor ukrainas dhe për t’i përgatitur për shërbim ushtarak rus.
Ministria e Jashtme britanike njoftoi sot se tetë individë dhe tre organizata do të përballen me sanksione për përfshirjen e tyre në deportime, të cilat sekretari i Jashtëm i përshkroi si ”të neveritshme”.
Mes të sanksionuarve është Aymani Kadyrova, nëna e liderit çeçen pro Kremlinit Ramzan Kadyrov dhe presidente e fondacionit ”Akhmat Kadyrov”, i cili akuzohet se organizon programe riedukimi për fëmijët ukrainas.
Ky fondacion është gjithashtu i sanksionuar, së bashku me ”Volunteers of Victory” dhe ”Movement of the First”, një organizatë rinore e ngjashme me ”Pionierët e Rinj Sovjetikë”.
Të tjerë të sanksionuar janë zyrtarja e Ministrisë së Arsimit të Rusisë, Anastasia Akkuratova, komandanti ushtarak çeçen Zamid Chalayev si dhe zyrtarët e Tatarstanit, Leyla Fasleeva dhe Rinat Sadykov.
Sekretari i Jashtëm David Lammy deklaroi se ”të marrësh një fëmijë nga shtëpia e tyre dhe të përpiqesh t’i fshish trashëgiminë dhe edukimin përmes gënjeshtrave dhe dezinformimit, është e papranueshme. Asnjë fëmijë nuk duhet të përdoret si peng i luftës dhe prandaj po mbajmë përgjegjës ata që janë përfshirë./ /Ad.Ab./