E Hënë, 2 Nëntor 2026

PEKIN – Xi dhe Putin flasin për transplantet dhe pavdekësinë pa e ditur se mikrofonat ishin hapur

PEKIN, 3 shtator /ATSH/ – Presidenti kinez, Xi Jinping dhe presidenti rus, Vladimir Putin janë dëgjuar duke diskutuar për transplantet e organeve si një mjet për të zgjatur jetën, sipas BBC.

Putin sugjeroi që edhe jeta e përjetshme mund të jetë e arritshme si rezultat i inovacioneve në bioteknologji, sipas një përkthimi të vërejtjeve të kapura në një mikrofon të hapur.

Momenti i pakujdesshëm u kap në një transmetim të drejtpërdrejtë të transmetuar nga televizioni shtetëror kinez, ndërsa dy udhëheqësit dhe Kim Jong Un i Koresë së Veriut ecnin së bashku nëpër sheshin historik ”Tienanmen” të Kinës.

Xi dhe Putin kanë qenë në pushtet për 13 dhe 25 vjet respektivisht.

Asnjëri nuk ka shprehur ndonjë dëshirë për t’u larguar.

Duke qëndruar krah për krah me udhëheqësit e Koresë së Veriut dhe Rusisë, presidenti i Kinës përdori spektaklin e tij të Ditës së Fitores për të projektuar një vizion alternativ për të ardhmen e rendit botëror.

Megjithatë, biseda e tyre private sugjeron se pikëpamjet e tyre shtrihen përtej ekonomisë dhe politikës.

Shkëmbimi u transmetua nga një përkthyes në gjuhën mandarine për Putinin dhe një përkthyes në gjuhën ruse për Xi dhe është përkthyer në anglisht nga BBC.

“Në të kaluarën, ishte e rrallë që dikush të ishte më i moshuar se 70 vjeç dhe këto ditë thonë se në moshën 70 vjeç dikush është ende fëmijë”, dëgjohet të thotë përkthyesi i Xi në rusisht.

Një fragment i padëgjueshëm nga Putin vijon më pas.

Përkthyesi i tij në gjuhën mandarine shtoi më pas se ”me zhvillimin e bioteknologjisë, organet njerëzore mund të transplantohen vazhdimisht dhe njerëzit mund të jetojnë gjithnjë e më të rinj, madje edhe të arrijnë pavdekësinë”.

Përkthyesi i Xi tha më pas se ”parashikimet janë se, këtë shekull, ka një shans për të jetuar edhe deri në 150 [vjet]”.

Putin thuhet se i përsëriti komentet e tij më vonë ndërsa fliste për mediat ruse.

Sipas Putinit, ”metodat moderne të rimëkëmbjes, metodat mjekësore, madje edhe ato kirurgjikale që merren me zëvendësimin e organeve, i mundësojnë njerëzimit të shpresojë që jeta aktive të zgjasë më shumë se sot”.

“Mosha mesatare është e ndryshme në vende të ndryshme, por jetëgjatësia do të rritet ndjeshëm”, citohet të ketë thënë ai./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›