LONDËR – Baerbock: Sudani po përjeton krizën më të madhe humanitare në botë

LONDËR, 15 prill /ATSH-DPA/- Kriza më e madhe humanitare në botë që po shpaloset në Sudan nuk mund të harrohet, tha sot ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock në një konferencë ndërkombëtare të ndihmave në Londër për të shënuar 2-vjetorin që nga shpërthimi i luftës civile në vendin verilindor të Afrikës.
“Si mund ta harrojmë krizën më të madhe humanitare në botë?”, pyeti Baerbock, duke theksuar gjendjen e vështirë të 30 milionëve që nuk mund të mbijetojnë pa ndihmën humanitare.
“Kjo luftë duhet të përfundojë”, shtoi ministri në largim, i cili do të japë dorëheqjen në maj kur qeveria e ardhshme e Gjermanisë të marrë detyrën.
“Gjermania po kontribuon me 125 milionë euro (142 milionë dollarë) për Sudanin dhe vendet fqinje”, tha Baerbock.
“Por, shuma nuk mund të jetë kurrë e mjaftueshme nëse konflikti nuk ndalet. Kjo luftë duhet të përfundojë”, tha ajo.
Rreth 20 vende morën pjesë në Konferencën e Sudanit në Londër, së bashku me përfaqësues nga Bashkimi Afrikan dhe Bashkimi Evropian.
Lufta civile midis organizatës paraushtarake të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe Forcave të Armatosura Sudaneze ka vazhduar në vendin e Afrikës verilindore që nga prilli 2023.
Shifrat nga Kombet e Bashkuara sugjerojnë se më shumë se 12 milionë njerëz janë zhvendosur në konflikt, ndërsa 24,6 milionë përballen me urinë akute brenda vendit.
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë akuzuar të dyja palët për krime lufte si dhuna seksuale, sulme ndaj civilëve dhe spastrim etnik. //a.i/