E Martë, 3 Nëntor 2026

Balluku: Transformim radikal në infrastrukturë, 1 mijë km rrugë të ndërtuara dhe 40 kantiere në zhvillim

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Belinda Balluku deklaroi sot se qeveria shqiptare ka bërë një transformim radikal në infrastrukturën rrugore, ku tashmë janë 1 mijë km rrugë të ndërtuara ose të rehabilituara në këtë 12-vjeçar.

Në fjalën e saj në aktivitetin “Infrastruktura, arritjet dhe Sfidat për Shqipërinë 2030″, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Balluku tha se “dy mandatet e fundit kanë qenë shumë të rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës”.

“Në mandatin e parë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i përkiste aleatit dhe shumë punë nuk janë bërë për të thënë të drejtën, por në mandatin e dytë kur ne fillojmë, PS dhe punojmë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe gjithë komponentët e tjerë që kontribuojnë në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore gjithçka ndryshon. Fillimisht adresuam ato që ishim më emergjente, më jetike, filluam të çonim përpara rrugë të lëna rrugëve ashtu siç e kemi thënë gjithmonë dhe për më tepër ato projekte që kishin më shumë se 10 vite që mbaheshin varur nëpër dollape, nëpër sirtare të bëra pa studim, të tenderuara pa buxhet dhe për më tepër pa asnjë lloj plani zhvillimi teknik sesi do të ndodhte”, nënvizoi Balluku.

Balluku u shpreh se “u adresuan në mënyrën më të mirë duke nisur nga bajpasi i Ferit, apo bajpasi i Vlorës, rrugë të tjera që kishin ngelur pa përfunduar. Ndërkohë në 5-vjeçarin e fundit ne vazhduam të ndërtojmë rrugë të reja duke arritur që tashmë të kemi 1 mijë km rrugë të ndërtuara në këtë 12-vjeçar ose të rehabilituara”.

Por, vijoi Balluku, nga ana tjetër ajo çfarë sot duhet të thuhet është që në mandatin e dytë në 5-vjeçarin që po lëmë pas cilësia ka qenë pjesa më e rëndësishme për çfarë ne kemi bërë.

Balluku vuri në dukje se sot ka 40 kantiere të hapura në të gjithë vendin.

“Këto kantiere nuk kanë të bëjnë as me rrugë të thjeshta dhe as me rehabilitime, kantiere që kanë të bëjnë me ndërtimin e korridoreve të reja, pasi në infrastrukturën rrugore kemi bërë transformim radikal. Duke e matur punën tonë jo thjesht nga ana sasiore, por nga ajo cilësore duke ndërtuar akse rrugore me parametra dhe kritere evropiane për të qenë të gatshëm dhe për të qenë pjesë e korridoreve që tashmë ne e kemi fituar këtë legjitimitet edhe në BE duke qenë se në vendin tonë ndërtohen dy nga korridoret më të rëndësishme Korridori 8 dhe Korridori Blu, ose Korridori Adriatiko – Jonian”, tha Balluku.

Balluku theksoi se “këto 40 kantiere përfshijnë vepra arti, të cilat ndoshta studentët e Fakultetit të Ndërtimit apo të Arkitekturës mund t’i përdornin edhe si site për t’i vizituar dhe për t’i kthyer në orë mësimore. I referohem tunelit të Murrizit, rrugës Thumanë-Kashar apo atyre akseve që kanë pasur komplikimet e tyre gjeologjike apo zgjidhjet teknike, por që sot janë dorëzuar dhe janë funksionale me sukses”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›