E Enjte, 5 Nëntor 2026

LONDËR – Starmer konfirmon mbështetjen e BM në 33-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës

LONDËR, 24 gusht /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik Keir Starmer tha se Britania e Madhe do ta mbështesë Kievin “sot dhe gjithmonë”, ndërsa Ukraina shënon 33-vjetorin e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik.

Starmer e përshkroi mesazhin e tij për luftëtarët e vijës së parë dhe njerëzit që kanë kërkuar strehim në Britaninë e Madhe si “shumë të qartë” – ndërsa qeveria konfirmoi se grupet e komunitetit kanë planifikuar ngjarje për të shënuar përvjetorin.

Sovjeti suprem i Ukrainës ra dakord që shteti të largohej nga Bashkimi Sovjetik me qendër në Moskë më 24 gusht 1991, një vendim të cilin votuesit ukrainas e mbështetën në një referendum në dhjetor të të njëjtit vit.

“Mesazhi im për të gjithë ukrainasit, qoftë në vijën e frontit apo këtu në shtëpinë tuaj të dytë në BM, është i qartë: ne jemi me ju sot dhe gjithmonë”, tha Starmer.

“Kjo është ajo që i thashë presidentit Zelensky kur ai u ul në tryezën tonë të kabinetit dhe ku, në emër të popullit britanik, theksova se nuk është vetëm qeveria britanike ajo që qëndron pas Ukrainës, por jemi të gjithë ne. Ne jemi me ju për aq kohë sa duhet”, tha Starmer.

“Slava Ukraini”, tha ai në një përshëndetje kombëtare në vend, që përkthehet në “lavdi për Ukrainën”.

Qeveria konfirmoi se mbi 45 000 rekrutë ukrainas janë trajnuar në tokën britanike që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, si pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare të koduar Operacioni Interflex.

Ministria e Mbrojtjes u ka kërkuar gjithashtu përdoruesve të mediave sociale që të ndajnë video të tyre duke duartrokitur, brohoritur, duke luajtur muzikë, duke kënduar me hashtag #MakeNoiseForUkraine . //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›