E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

LOS ANXHELES – Zjarri djeg enklavën e njohur për plazhet dhe joshjen e të famshmëve

LOS ANXHELES, 8 janar /ATSH/ – E rrethuar në jug nga një shtrirje prej rreth pesë kilometrash plazh përballë Paqësorit dhe në veri nga shkëmbinjtë e thepisur dhe kanione të thella e të gjelbëruara, enklava bregdetare e Palisades së Paqësorit ka qenë prej kohësh një strehë e famshme dhe magnet për ata që janë joshur drejt natyrës, jo shumë larg nga horizonti i qendrës së Los Anxhelesit.

E vlerësuar edhe në këngë të ndryshme dhe në një listë të gjatë filmash dhe shfaqjesh televizive, valët e saj të famshme u festuan nga ”The Beach Boys” në këngën “Surfin’ U.S.A”.

Komediani Jerry Lewis jetoi atje dhe dikur ishte kryetar nderi i bashkisë dhe seriali televiziv me emrin “Pacific Palisades” u prodhua nga Aaron Spelling.

E rezervuar nga Malibu në perëndim dhe Santa Monica në juglindje, enklava me 23 000 banorë brenda Los Anxhelesit mund të mos jetë aq e njohur sa fqinjët e saj, por ajo ka një histori të pasur, të mbushur me të famshëm që pasoi themelimin e saj në fillim të viteve 1920.

Por, një zjarr i furishëm bregdetar e vendosi dje këtë enklavë në krye të lajmeve, pasi zjarrfikësit u përpoqën të frenonin flakët, pas një stuhie të fortë ere dhe mijëra banorë u larguan.

Tymi nga zjarri ishte i dukshëm për kilometra të tëra përgjatë vijës bregdetare.

Aktori James Woods ishte ndër ata që postuan video të flakëve, në një kodër pranë shtëpisë së tij.

“Duke qëndruar në rrugën time, duke u përgatitur për t’u evakuuar”, tha Woods në platformën sociale X.

Aktori Steve Guttenberg, i cili jeton në Palisades të Paqësorit, u bëri thirrje njerëzve që braktisën makinat e tyre të linin çelësat e tyre në mënyrë që të mund të zhvendoseshin për t’u hapur rrugë zjarrfikëseve.

E parë që një shekull më parë si një komunë fetare, sot rrugët e ngushta e gjarpëruese të Palisades Paqësorit janë ”të veshura” me shtëpi që ngjiten në faqet e kodrave me pamje nga oqeani.

Çmimi mesatar është 4,6 milionë dollarë./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›