E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Koçiu: Rast suksesi në spitalin e Neurologjisë, pacientes i hiqet tumori në kokë përmes vetullës

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Ekipi i mjekëve në repartin e neurokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë ka realizuar me sukses një ndërhyrje të rrallë te një paciente 34-vjeçare.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë të ditur sot përmes rrjeteve sociale lajmin, duke u shprehur se “kjo ndërhyrje e vështirë është realizuar nëpërmjet teknikës mini-invazive përmes vetullës, e cila bëri të mundur të hiqet plotësisht tumori, pa prerje në kokë, pa shenja dhe pa dëmtuar nuhatjen tek një paciente 34-vjeçare, me një tumor 3 cm në tru, ngjitur me nervat e nuhatjes e të shikimit. Pacientja, pas ndërhyrjes gëzon shëndet të plotë”.

Ministrja Koçiu u ka shprehur mirënjohjen ekipit të mjekëve neurokirurgë që realizuan këtë ndërhyrje të vështirë: “Mirënjohje për ekipin e neurokirurgëve, prof. dr. Artur Xhumari, neurokirurg, shef i Shërbimit të Neurokirurgjise, QSUNT, dr. Myfit Saraçi, anestezist-reanimator, instrumentare, dr. Maren Ruka, neurokirurg, infermiere instrumentare Ritvana Gjura dhe infermiere qarkulluese, Angjela Gjona”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›