E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi hyn zyrtarisht në FRD: Jo koalicion me PD-PS

Topi dje gjate takimit me drejtuesit e FRD

Ish-presidenti takohet me grupin nismëtar të Frymës së Re Demokratike.

Oketa: Eksperienca e tij, është aset i shtuar për ne.

Pa kaluar 10 ditë nga përfundimi i mandatit 5-vjeçar në krye të shtetit, Bamir Topi u takua dje me grupin nismëtar të Frymës së Re Demokratike. Në takim, ish-kreu i shtetit dhe i Grupit Parlamentar të PD-së u prit nga Gazmend Oketa, Aleksandër Biberaj, Sali Shehu si dhe disa drejtues të lartë të FRD-së. Të larguarit nga PD-ja u ulën në kafenenë e katit të tretë në hotel Tirana dhe qëndruan aty për rreth 60 minuta përpara se të bënin edhe deklaratat e para për mediat. Në takim bëhet e ditur se është biseduar gjerësisht për pozicionin që do të mbajë kjo forcë politike në zgjedhjet e ardhshme. Burimet bëjnë të ditur se drejtuesit e FRD-së dhe Topi ishin të të njëjtit mendim sa u përket koalicioneve, ku u përjashtua kategorikisht mundësia e një marrëveshjeje parazgjedhore me PD-në apo PS-në. Në fund të këtij muaji pritet që ish-kreu i shtetit të marrë edhe teserën e FRD-së dhe në shtator do të nisë një tur i gjerë takimesh në bazë për të njohur elektoratin me objektivat dhe programin e kësaj partie.
Deklaratat
Në përfundim të takimit, Gazmend Oketa vlerësoi rolin e Topit në krye të shtetit dhe tha se eksperienca e tij do ti shërbejë shumë FRD-së. E njohëm Presidentin me projektin tonë politik që synon të sjellë një politikë ndryshe, në mënyrë që ëndrra e shqiptarëve për integrimin europian të bëhet realitet. Eksperienca e Presidentit Topi, si një nga politikanët më të spikatur të Shqipërisë, do të jetë një aset i shtuar dhe i mirëpritur nga FRD, u shpreh ish-ministri i Mbrojtjes i PD-së. Nga ana e tij, Topi tha se do të jetë fundi i këtij muaji që do të realizojë pikërisht hapin përfundimtar, dhe unë jam i bindur tashmë që takimi tjetër do të realizohet në selinë e re të FRD, një forcë e re politike e cila në projektin politik e ka bërë tashmë të qartë që do të jetë në funksion të plotë të aspiratës qytetare dhe më ka pëlqyer një shprehje e saktë e zotit Oketa. Kur është pyetur për aleancat e mundshme, ka thënë që aleanca jonë është aleancë për qytetarin. I pyetur nëse do të ketë një marrëveshje me njërën prej dy forcave kryesore politike përpara zgjedhjeve të përgjithshme, ai u shpreh: Nëse do të pyetem dhe do të marr një pozicion personal, unë shkoj në sintoni të plotë me atë që ka thënë zoti Oketa: aleanca do të jetë vetëm me qytetarin dhe aspak me atë psikologji që është ndërtuar dhe atë politikë të atyre që tashmë konsiderohen parti të vjetra në Shqipëri. Nuk do kishte sens të lindte nevoja jo thjesht si një dëshirë e disa personazheve të politikës, por si një vullnet për një forcë të re politike, e cila kërkon të realizojë një model ndryshe në përputhje të plotë me standardet europiane.

Pjesëmarrësit ne takim
Bamir Topi
Gazmend Oketa
Aleksandër Biberaj
Sali Shehu
Andi Seferi
Edlira Gjoni
Afrim Krasniqi
Belma Muka
Elsa Balla

Deputetët e PD në FRD
I pyetur nëse do të ketë deputetë të tjerë të Partisë Demokratike që do ti bashkohen Frymës së Re Demokratike në muajin shtator, kreu i grupit nismëtar të FRD-së, Gazmend Oketa u shpreh se kjo është në funksion të vendimmarjes së deputetëve apo personave publikë, të cilët dëshirojnë ti bashkohen FRD-së. Eshtë një çështje totalisht në vullnetin e tyre. Më herët zyrtarë të FRD-së kanë deklaruar se ka edhe disa deputetë të tjerë të PD-së që do ti bashkohen partisë së krijuar së fundmi.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›