LSI: Gjuha kërcënuese dhe ultimative, shprehje e frikës së lidershipit socialist për tu përballur me alternativat e integrimit të vendit
Lëvizja Socialiste për Integrim u shpreh sot se kërcënimet ndaj rendit demokratik të kryesocialistit Edi Rama, nuk janë gjë tjetër veçse dëshmi e një krize të rëndë lidershipi, pasojat e së cilës po i vuan më rëndë vetë PS. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, Luan Rama, i bëri apel opozitës që të distancohet nga të tilla qëndrime të tilla destruktive, të cilat cenojnë në mënyrë permanente pozicionin e Shqipërisë përballë aspiratave të integrimit evropian. Ai u shpreh se LSI e konsideron dialogun politik në institucionet legjitime të vendit e pike së pari në Kuvend, si hapin e domosdoshëm për zgjidhjen dhe kapërcimin e ngërçit politik dhe si një shenjë të sjelljes evropiane të të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë parlamentarë.“Sfida e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është sfidë vetëm e mazhorancës qeverisëse. Ajo është sfidë për gjithë shoqërinë shqiptare,dhe padyshim, është në radhë të parë sfidë për klasën politike të vendit, pra edhe për opozitën.Në këtë kontekst, LSI e konsideron gjuhën kërcënuese dhe ultimative si shprehje të krizës dhe të frikës së lidershipit socialist për t’u ballafaquar me alternative që i kontribuojnë të ardhmes evropiane të vendit. LSI e fton Partine Socialiste të distancohet nga gjuha destruktive dhe tonet kërcënuese për marrjen e pushtetit me dhunë, ç’ka nuk ka qenë në natyrën e saj, dhe të zërë vendin që i takon në Kuvendin e Shqipërisë si një opozitë civile dhe evropiane. Përmes dialogut politik në Kuvend do të gjejmë së bashku zgjidhjen më të mirë të mundshme, dhe kështu do të kontribuojmë realisht edhe për liberalizimin e vizave dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptare në Bashkimin Europian, por edhe për realizimin e të gjithë reformave të rëndësishme në funksion të anëtarësimit të vendit në BE”, u shpreh më tej në daklaratën e tij për mediat, Luan Rama, Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në LSI....