E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha i uron Ditën e Emrit Fortlumturisë së Tij, Anastasit

Kryeministri Berisha i uroi dje Ditën e Emrit Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë. Me këtë rast, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministri i Punës dhe çështjeve Sociale, Spiro Ksera, zhvilloi një vizitë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe i shprehu Fortlumturisë së Tij urimet e tij personale dhe të qeverisë shqiptare për këtë ditë të shënuar për të dhe Kishën Ortodokse. “Ju shpreh urimet më të përzemërta të miat, të qeverisë dhe mbarë shqiptarëve. Ne jemi shumë mirënjohës për të gjithë ndihmesën e jashtëzakonshme që keni dhënë dhe jepni në ringjalljen e fuqishme të këtij vendi dhe këtij kombi. Kam shumë kënaqësi t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta ju dhe Kishës Ortodokse. Për të gjithë shqiptarët kjo është ditë e veçantë,” u shpreh Kryeministri Berisha, në urimin drejtuar Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos. Biseda 30-minutëshe është zhvilluar në një klimë shumë të ngrohtë ku pjesmarrësit pasi kanë uruar Hirësinë e tij kanë shprehur vlerësimin për punën e bërë prej Tij me angazhimin për vazhdimin e marrdhënieve të shkëlqyera mes tyre. Kryeministri Berisha është interesuar në veçanti për shëndetin e Hirësisë së Tij dhe kanë diskutuar sëbashku me të mbi dobinë dhe efektshmërinë e marrëdhënieve mes kishës ortodokse dhe institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.22 janari për besimtarët ortodoksë të Shqipërisë ka një kuptim të veçantë. Në ditën kur kujtohet shën Anastas Persiani, kremtohet edhe dita e emrit e Fortlumturisë së Tij Anastasit, që sivjet përkon me kremtimin para pak kohe të 80-vjetorit të Kryepiskopit tonë. Për këtë rast të shënuar, dje në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, u krye Liturgjia Hyjnore e rastit, ku me Fortlumturinë  e Tij bashkëcelebruan edhe Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, episkopët ndihmës, Hirësia e Tij Nikolla dhe Hirësia e Tij Andoni etj.Pas Liturgjisë Hyjnore, në sallën e madhe pranë kishës, në godinën e re të shkollës “Protagonistët”, Kryepiskopi priti urimet nga të pranishmit...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›