E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Manchester nuk mund të kërkojë përsëritjen e ndeshjes

Sekretari për Çështjet Ligjore në këtë parti, Ylli Manjani u shpreh se fletët tepër të pretenduara nga opozita janë hedhur në kutitë e gabuara dhe mungonin në kutitë e duhura, çka sipas tij, fletët e votimit janë në përputhje me procesverbalet. 

“Shpresa e tyre e vetme është që të imponohen publikut, institucioneve dhe opinionit ndërkombëtar me tezën e përsëritjes së zgjedhjeve. D.m.th, është njësoj sikur Manchester United të kërkojë përsëritjen e ndeshjes finale të mbrëmshme vetëm sepse e humbi. Nuk ka asnjë një lloj vaji dhe as uthulle që të bëjë të gëlltitshëm pozitën groteske të zotit Rama dhe të drejtuesve të lodhur të partisë Socialiste”, u shpreh Manjani.

Sipas tij, në rastin e bashkisë Tiranë gjetja e fletëve të votimit ne kutinë e gabuar e sqaron më së miri përrallën e mos rakordimit të shifrave, të cilën nuk e beson as vetë Rama. “Është e vërtetë që fletët e votimit të gjetura në kutinë e gabuar janë tepër për këtë të fundit, por është gjithashtu e vërtetë se po të njëjtat fletë janë mangët në kutinë e duhur. Por PS-së nuk i intereson kjo e fundit, sepse në fakt nuk i intereson vota e qytetarëve, por vetëm fitorja e kryetarit”, sqaroi ai më tej.

Sipas Manjanit, fletët e votimit me kërkesë të PS-së kanë pasur një kod sigurie që e dinin vetëm kreu i KQZ-së Arben Ristani dhe nënkryetarja Dëshira Subashi. Kjo e fundit-sqaron zyrtari i LSI-së- nuk ka hasur fletë që nuk e kanë pasur këtë shenjë të fshehtë sigurie.

“Prandaj dëshirojmë të ftojmë zotin Rama dhe të tjerët rreth tij,  të qetësohen dhe të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë. Të pranojnë faktin se kryetari i Partisë Socialiste doli në opozitë për herë të parë dhe ti kthehen jetës institucionale në këtë vend. Qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë nuk ja kanë për borxh as Ramës e askujt tjetër përbuzjen e vullnetit, që e shprehën qetësisht, paqësisht dhe demokratikisht më datën 8 Maj. Ky vullnet u lexua publikisht, qartësisht dhe brenda një procesi të rregullt ligjor të sigurt dhe me integritet”, vijoi ai.

Pas kësaj deklarate, reagoi edhe selia rozë, duke nënvizuar se shqiptarët panë me shifra jo me fjalë vjedhjen e organizuar në tavolinën e KQZ-së. “Çdo ditë ne do hedhim dritë mbi kutitë e manipuluara për të përmbysur fitoren tonë në Tiranë. Që nesër edhe Prokuroria do disponojë të gjithë të vërtetën e këtij kanibalizmi elektoral. Kusarët e votave janë të kapur me prova tronditëse që flasin vetë”, tha anëtarja e Asamblesë në PS, Megi Ajtyreza. Ajo shtoi se priste nga Kolegji Zgjedhor të japë drejtësi në emër të ligjit dhe nga prokuroria të ndëshkojë ligjërisht falsifikatorët e zgjedhjeve.

/Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-05-29 14:02
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›