E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Shqipëria e meriton anëtarësimin në Bashkimin Europian”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se është në të mirën e Bashkimit Europian dhe gjithashtu në të mirë të Shqipërisë, që vendi ynë të mos izolohet, por t’i bashkohet familjes së madhe europiane. Rama tha se pavarësisht dështimit të qeverisë “Berisha”, Shqipëria e meriton anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Përtej aktualitetit dhe performancës tërësisht të pamjaftueshme qeverisëse, qëndrojnë disa arsye shumë të forta, tejet partiake, për të besuar se është një e domosdoshme, që ne si klasë politike, të jemi kurajozë dhe të vendosur për të trokitur në derën e shtëpisë tonë, të shtëpisë europiane, duke kërkuar përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë, në këtë shtëpi, sepse një sërë kushtesh të parashtruara, si kushtet për të hyrë në këtë shtëpi, janë të paplotësueshme pa qenë brenda kësaj shtëpie. Argumenti se Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit është një proces i cili duhet mbyllur plotësisht përpara se Shqipëria të hedhë hapin tjetër, është një argument i pamjaftueshëm po të kemi parasysh se qoftë Kroacia apo Maqedonia, nuk e kishin përmbushur këtë proces deri në fund kur kërkuan të hynin në një fazë më të avancuar apo se në historinë e BE-së, Spanja ose Austria kanë bërë të njëjtën gjë, me të njëjtën vetëdije, se i përkasin një shtëpie që nuk është shtëpia e të tjerëve, por edhe e tyre. Nga ana tjetër, populli shqiptar, i cili është në unison përsa u takon proceseve integruese të Shqipërisë, përsa i takon përkatësisë të tij në Europë, si pjesë e qenësishme e historisë dhe të ardhmes së Europës, ka mbetur peng i një ndarjeje dramatike të shkaktuar nga politika dhe për arsye të politikës dhe politikanëve, jo për arsye të vetë popullit”, - tha Rama.

12 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›