LSI: Për presidentin i bashkojmë votat me PS-në

Luan Rama
Pak ditë pas takimit Rama-Meta nga dy kampet e partive të majta vazhdojnë të vijnë sinjale afrimiteti mes tyre. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, në një konferencë për shtyp u shpreh se LSI është gati të bashkëpunoi me PS-në.
Jemi të gatshëm dhe i ftojmë të gjithë aktorët dhe faktorët politikë të vendit të bashkojnë votat për Shqipërinë Europiane, të bashkojnë votat për integrimin europian të vendit, të bashkojnë votat për të realizuar reformën zgjedhore dhe tërësinë e reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian, u shpreh Rama.
Por ana tjetër, ai ka theksuar se LSI do të vazhdojë ti qëndrojë besnike marrëveshjes me PD-në. Kjo nënkupton se mes LSI-së dhe PS-së nuk mund të ketë një bashkëpunim politik kundër Berishës por një bashkëpunim për të zgjedhur një president konsensual.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së më tej u shpreh se vazhdojmë të mbetemi në qëndrimin që procesi i negociatave politike të mund të shkojë tek konsensusi më i mirë i mundshëm. Përgjigja e pyetjes nëse LSI pranon një kandidaturë të PD-së, Rama nuk i dha një përgjigje të qartë.
Zgjedhja e kryetarit të shtetit nuk është sfidë individësh apo sfidë e njërës parti kundrejt tjetrës. Është sfidë politike. Është sfidë e klasës politike të vendit përballë interesave europiane të vendit dhe shqiptarëve, u shpreh Luan Rama. /F.S/