E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Politizoi prokurorinë, Ina Rama të shkarkohet

TIRANE-Afrimi i mbylljes së mandatit të kryeprokurores Ina Rama ka përshpejtuar takimet e ndërkombëtarëve për të shkuar drejt një zgjidhjeje të pranuar nga të gjitha palët. Në këtë mënyrë po intensifikohen takimet e ambasadorëve të akredituar në Tiranë për këtë çështje, duke synuar zgjedhjen kushtetuese. Ambasadori i BE, Ettore Sequi u takua dje me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama.

Takimi mes Sequit dhe Ina Ramës është zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa ende nuk dihen detaje të këtij takimi, por mendohet që temë e bisedës të jetë pikërisht mandati i Prokurores së Përgjithshme dhe koha kur mbaron ky mandat. Por pavarësisht takimeve të ndërkombëtarëve, PD-ja i ka dhënë përgjigje debatit për mandatin e kryeprokurores, që sipas saj përfundon në fund të muajit nëntor. Partia Demokratike është e vendosur që ajo e mbyll detyrën në muajin nëntor, 5 vjet pasi ka marrë këtë post. Nga ana tjetër Partia Socialiste ka një interpretim tjetër që Ina Rama e mbyll detyrën në muajin maj, kohë kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese që përcaktojnë mandatin 5-vjeçar të Kryeprokurores. Nga ana e saj opozita ka paralajmëruar se nuk do ta lejojë një gjë të tillë, ndërkohë që Presidenti i Republikës Bujar Nishani pritet që këto ditë të nisë procedurat për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, duke garantuar se do të zbarojë vetëm ligjin dhe jo dëshirat partiake.
QËNDRIMI I LSI
Aleati i PD-së, LSI gjykon se mandati i kryeprokurores Ina Rama përfundon në muajin maj të vitit të ardhshëm, por ajo duhet shkarkuar më parë nga kjo detyrë për shkak të politizimit të organit të akuzës. Sekretari për çështjet ligjore në LSI, Ylli Manjani, deklaroi dje se të paktën që prej vitit 2009, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka funksionuar siç duhet, madje ka qenë e lidhur politikisht. “Mandati i kryeprokurores Ina Rama përfundon në muajin maj të vitit të ardhshëm, por ajo duhet shkarkuar më parë nga kjo detyrë për shkak të politizimit të organit të akuzës”, - apeloi Manjani. Zyrtari i LSI-së vuri në dukje se të paktën që prej vitit 2009, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka funksionuar siç duhet, madje sipas tij ka qenë e lidhur politikisht. Sa i përket diskutimit për propozime të emrave konkretë për drejtimin e organit të akuzës, Manjani thotë se LSI do të bëhet pjesë e diskutimeve, por jo domosdoshmërisht për kreun e akuzës. “Ne do jemi të gatshëm të kontribuojmë për një proces sa më gjithëpërfshirës, pse jo të kontribuojmë edhe në emërimin e kryeprokurorit të ri, jo domosdoshmërisht me emra, por mbi të gjitha me profesionalizëm”, - u shpreh Manjani.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›