E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Rizgjedhja e Ramës në krye të PS, përçarje e së majtës

LSI, reagon ndaj Kongresit të PS. Në një konferencë për shtyp zëdhënësi i saj, Gjoni ka hedhur akuza ndaj liderit të PS-së Rama, ku tha se Rama s’kërkoi falje për dëmet në kushtetutë. Si dhe e cilësoi rizgjedhjen e Ramës, si përçarje e PS. 

TIRANË- Akuza në adresë të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Duke u shprehur të sigurt dhe optimistë në bashkëqeverisje për 4 vitet e ardhshme me Partinë Demokratike, LSI e ka cilësuar rizgjedhjen e Ramës në krye të socialistëve si një përçarje.

Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i LSI-së, Ralf Gjoni u shpreh se "Edi Rama demostroi dje me fjalimin e mbajtur në Kongresin e Partisë Socialiste fytyrën e qartë të një kryetari të papërgjegjshëm".

"Gjuha staliniste e Edi Ramës dje kundër të gjithëve, dhe në mënyrë të veçantë kundër LSI-së, na forcon bindjen në drejtësinë e vendimit tonë për këtë koalicion të rëndësishëm dhe historik me PD-në, për të garantuar stabilitetin e qeverisjes së vendit dhe realizimin e reformave që do ta çojnë Shqipërinë në Europë", theksoi Gjoni.

Sipas tij "në vend që t’u kërkonte falje të gjithëve për dëmet që i ka sjellë Kushtetutës, kodit zgjedhor, dhe gjithë procesit demokratik të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme, Edi Rama zgjodhi gjuhën e dëshpërimit, të papërgjegjshmërisë kombëtare dhe të fabrikimit të alibisë së tij personale".

Lëvizja Socialiste për Integrim gjithashtu vlerësoi sot se "degradimi i lidershipit te PS-së forcon bindjen në drejtësinë e vendimit tonë për realizimin e një koalicioni të rëndësishëm dhe historik me PD-në për të garantuar stabilitetin e qeverisjes së vendit dhe suksesin e reformave që bashkojnë Shqipërinë me Evropën".

“Socialistët e kanë kuptuar qartazi, se Kongresi i betonuar, i betonuar ashtu si Tirana si dhe diktati i ushtruar nga kryetari i tyre ndaj funksionimit të demokracisë së brendshme të PS-së, tregon se rizgjedhja e Edi Ramës në krye të saj i shërben përçarjes së mëtejshme të së majtës. Ndaj ne ndjehemi shumë optimist për të ardhmen e kësaj bashkëqeverisjen dhe për këtë koalicion historik në 4 vitet e ardhshme me Partinë Demokratike”- u shpreh zëdhënësit i LSI-së, Ralf Gjoni. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›