E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Sjellja e lidershipit e ka lënë PS-në në opozitë

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, sjellja armiqësore e Partisë Socialiste, siç e quan kjo parti, ndaj LSI-së e ka lënë atë në opozitë në dy zgjedhje të përgjithshme politike. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama është shprehur sot për mediat se lidershipi socialist vazhdon të mos ofrojë alternativa, duke mos u sjellë si një opozitës evropiane.

Sipas zyrtarit të LSI-së, kjo është monument i politikës së vjetër. Një vit pas bashkëqeverisjes me PD dhe me koalicionin që ajo drejton, LSI është një forcë politike më e konsoliduar është gjithashtu me identitet më të spikatur dhe për shkak të angazhimit tonë në qeverisje, e cila nuk lidhej vetëm apo thjeshtë me ndarje të të disa funksioneve në nivele të qeverisjes, por lidhej me një angazhim politik dhe shumë të përgjegjshëm për të kontribuar për procesin e pakthyeshëm europianizues të vendit”, është shprehur ai.

Duke folur për zgjedhjet e ardhme, Luan Rama shprehet se tashmë LSI-ja ka treguar forcën e saj për të qeverisur dhe se ajo është një forcë politike që do të kontribuojë për reformat e mëtejshme. “N kemi ndërmarrë disa iniciativa dhe do të vazhdojmë të insistojmë në to, sepse kushti për një reformë zgjedhore dhe efikase dhe që ta vendosë përfundimisht Shqipërinë në cakun e vendeve që zhvillojnë zgjedhje korrekte të lira të pakontestuara dhe transparentë është pa dyshim një angazhim madhor dhe që lidhet edhe me standardet europiane, që lidhet drejtpërdrejtë me të ardhmen evropiane të vendit”, vijoi Rama.

I pyetur nga gazetarët mbi kandidat të përbashkët në Tiranë midis LSI-së dhe PD-së, Luan Rama iu shmang përgjigjes direkte, duke theksuar se “Bashkia e Tiranës mbetet prioriteti kryesor i sfidës tonë të ardhshme politike dhe elektorale, që nuk lidhet thjeshtë dhe vetëm me emrin që do të jetë në krye të saj, por që lidhet me një skemë tërësore funksionale të mirëqeverisjes së Bashkisë së Tiranës, sepse prej shumë vitesh, pra që prej 2005 e këtej, Bashkia e Tiranës nuk qeveriset”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›