E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Trendi i rritjes nga 50% deri në 230%

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, tha të martën se “në vazhdën e një procesi numërimi që zgjat në mënyrë të lodhshme”, LSI-ja është e angazhuar dhe po kontribuon maksimalisht që ky proces të shkojë në përputhje me standardet që çojnë tek një rezultat korrekt, transparent, të drejtë e të ndershëm ashtu siç kanë votuar qytetarët shqiptarë.

Rama tha se në 66 Njësi Vendore, të cilat janë kryesisht komuna, për të cilat ka rezultat të shpallur nga KZAZ-të, LSI ka marrë 19300 vota nga 11600 të tilla të marra në zgjedhjet e vitit 2009.

“Ne kemi të konfirmuar tashmë fitoren në dy bashki, në Bashkinë e Lezhës dhe në Bashkinë e Çorovodës”, tha ai duke shtuar se “vetëm në Rrethin e Tropojës ku kemi rezultatet përfundimtare të shpallura nga KZAZ, LSI ka marrë 1016 vota nga 191 vota të marra në vitin 2009 apo krahasuar me vitin 2007 ku janë marrë 579 vota”.

Rritje të tillë ka edhe në Rrethin e Kukësit ku nga 360 vota të marra në vitin 2009, janë 410 votat për LSI-në në zgjedhjet e 8 majit” dhe në rrethin e Shkodrës, ku “në Komunën Rrethina nga 154 vota të marra në vitin 2009 janë marrë 810 vota në zgjedhjet e 8 majit apo në Bashkinë e Vaut të Dejës nga 35 vota janë marrë në zgjedhjet e 8 majit 320 vota”.

Rritje edhe në Bashkitë e Urës Vajgurore, Kuçovës, Poliçanit, Burrelit, Klosit, Durrësit, Cërrikut, Elbasanit, Peqinit, Librazhdit, Fierit, Lushnjës, Mallakastrës, Tepelenës, Memaliajt, Korçës, Ersekës, Pogradecit.

“Natyrisht është për tu theksuar në të gjitha sa thashë që trendi i rritje së votës pro LSI-së krahasuar me zgjedhjet e viti 2009 është padyshim në rritje. Treguesit janë në rritje nga 50% deri në 230% dhe kjo na bën të shpresojmë për një rezultat padyshim shumë më të mirë nga ai qe kemi pasur në 2009, çka do të konfirmojë edhe një herë peshën reale, politike dhe mbështetjen qytetare që vjen në rritje për LSI-në”, tha ai.

Luan Rama shtoi se tendencë në rritje për LSI-në ka edhe në të gjitha qendrat e votimit të numëruara në qytetin e Tiranës. “Duke respektuar punën që bëjnë të gjitha komisionet, në mënyrë të veçantë grupet e numërimit, LSI iu drejtohet atyre që të vazhdojnë të punojnë me korrektesë dhe në zbatim të ligjit për të kurorëzuar në mënyrë dinjitoze dhe me sukses këtë proces”, tha ai.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›