E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI çon në prokurori Kukësin: Janë prekur fletët e votimit

muhoPërfaqësuesi i LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho, ka thënë pas rinumërimit të votave të 15 kutive të qarkut të Kukësit, se fletët pa shenja dalluese janë zhdukur nga kutitë. Ai ka kërkuar nga ana e prokurorisë që të hetojë.

Thelbi i kërkesës sonë ankimore kishte të bënte me pamjet filmime në zonën e administrimit zgjedhor numër 9. Ekspertët tanë konstatuan se në monitor shfaqeshin fletë votimi të bardha, pa shenja dalluese, të cilat duhet të vlerësoheshin si të pavlefshme. Pretendimi ynë u mor parasysh nga gjykata. Mbi këto baza kolegji vendosi të rinumëronte kutitë e votimit. Sot u konstatua se këto fletë votimi mungonin, nuk ishin më të bardha, por të shënjuara. Pyetja jonë është, ku shkuan fletët e votimit të bardha. Nuk jemi në gjendje ti përgjigjemi sot. Do të jetë pjesë e hetimit te organeve të specializuara, për të pare se ku janë zhdukur këto vota. Do të respektojmë vendimin e gjykatës, por çështja nuk do të mbetet me kaq. Organet e specializuara duhet ti japin përgjigje kësaj pyetje, ku shkuan fletët e votimit që rezultonin pa asnjë shenjë dalluese. Prokuroria duhet të merret me ketë çështje, deklaroi Muho.

Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso, tha se Kolegji vërtetoi bindjen e PD-së për pastërtinë e fitores në Kukës.

Të gjitha pretendimet e ngritura ishin të pabazuara, por edhe në pamjet filmike të cilat pretendonin se i kishin parë dhe ekzaminuar, rezultati pasqyronte atë që grupet e numërimit kishin nxjerrë. Bindja jonë për pastërtinë e fitores sonë në qarkun e Kukësit u vërtetua. Ne kemi qenë që në fillim për transparencën dhe na vjen mirë që këtë qëndrim konseguent që e kemi mbajtur në të gjithë proceset u konfirmua edhe në këtë rast, në rastin e Kukësit, u shpreh Kaso/b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›