E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja mbështet prezencën e OSBE-së: “E rëndësishme për zgjedhjet në Shqipëri”



Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet prezencën e OSBE-së në Shqipëri, duke kundërshtuar dhe hedhur poshtë të gjitha përpjekjet dhe planet e qeverisë që kishin të bënin me largimin e këtij institucioni të rëndësishëm. Edmond Haxhinasto, kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroi dje në një konferencë për shtyp se debati mbi të ardhmen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri është i parakohshëm dhe i panevojshëm. Haxhinasto tha se prezenca e OSBE-së në Shqipëri është shumë e rëndësishme për monitorimin e reformave në vend si dhe për të frenuar sulmet e qeverisë ndaj institucioneve të pavarura, si ndaj presidentit ashtu edhe ndaj sistemit gjyqësor. “Zhvillimet e fundit regresive ligjore, veçanërisht cenimi i kushtetutës me amendimet e 21 prillit, ecuria tepër e ngadalte dhe prognoza aspak optimiste e realizimit te reformave ne vend, sidomos e reformës zgjedhore, ekspansioni i egër i pushtetit ekzekutiv mbi pushtetet e pavarura, institucionin e presidentit dhe sistemin gjyqësor, e bëjnë të nevojshme Prezencën e OSBE-së në Shqipëri”, - tha Haxhinasto. Më tej drejtuesi i KDK-së së LSI-së shprehu besimin se Prezenca e OSBE-së do të ketë një angazhim cilësor dhe intensiv përsa i përket reformës zgjedhore dhe procesit të ardhshëm zgjedhor në Shqipëri. “Duke pranuar stadin aktual të vendit në procesin integrues në NATO dhe BE,
të vetëdijshëm për standardet e larta demokratike që duhen arritur në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme në vend, kërkojmë nga OSBE/ODIHR dhe partneret e tjerë ndërkombëtare dy apo shumëpalësh, një angazhim cilësor dhe me intensiv ne procesin e reformës zgjedhore, duke iu referuar në çdo hap standardeve më të përparuara europiane në organizimin e zgjedhjeve, dhe duke mos pranuar apriori si standard atë që arrihet vetëm me konsensusin e PD-PS-së, që shpesh ka rezultuar me kosto të mëdha për sistemin tonë demokratik”, - tha Haxhinasto. Në emër të LSI-së ai kërkoi gjithashtu nga Kuvendi që të përfundojë sa më shpejt Reformën Zgjedhore, duke e cilësuar atë si prioritet në legjislaturën e ardhshme.

11 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›