E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i qeverisë për të gjymtuar prezencën e OSBE-së

Një aksion diplomatik i planifikuar muaj më parë për të goditur mandatin e OSBE-së në Shqipëri. Por që papritur ka marrë një të çarë të madhe pas deklaratave të forta të “diplomatit amerikan”. Prapaskenat e një konflikti që u shua para se të niste

Shumëkush mund të mendojë se zhurma rreth OSBE-së filloi pasditen e 30 korrikut, kur diplomati tashmë i famshëm amerikan formuloi bashkë me disa akuza të tjera të rënda për qeverinë, edhe atë të një tentative për të goditur OSBE-në. Në fakt gjithçka duket se ka të paktën disa muaj që ka nisur në heshtje dhe që fillesën e ka në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme. Revista “MAPO” ka mundur të marrë informacione lidhur me disa përpjekje konkrete të diplomacisë tonë, për të tkurrur gradualisht mandatin e organizatës në Shqipëri. Në një mënyrë të përmbledhur këto lëvizje diplomatike duket se pasqyrohen edhe në letrën e ministrit tonë të Jashtëm Lulzim Basha, dërguar kreut të radhës të OSBE-së, ministrit të Jashtëm finlandez, Stub. Në këtë letër, ndër të tjera, thuhet se “nisur nga fakti që mandati aktual i Pranisë është miratuar para gjashtë vjetësh, si dhe bazuar në tendencat e qarta të progresit demokratik të vendit, si marrja e Ftesës në Samitin e Bukureshtit dhe përmbushja e procedurave vijuese për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO, nënshkrimi i MSA-së me BE-në dhe arritjet e pamohueshme në realizimin e aspiratave tona integruese, gjykojmë se Shqipëria është në stadin kur duhet të marrë gradualisht pronësinë gjithnjë e më të madhe të proceseve, përmes kapaciteteve të rritura profesionale dhe drejtuese të institucioneve shqiptare. Për këtë arsye, ne do të mirëprisnim bashkëpunimin Tuaj për të fokusuar mandatin e ri të Pranisë së OSBE-së në Shqipëri në dy çështje themelore: reformën në Drejtësi dhe reformën zgjedhore, me një afat kohor të përcaktuar qartë”. Një mesazh i qartë, por një llogari ndoshta e gabuar.
Mandati
Mandati aktual i OSBE-së, ose më thjesht, fusha e saj e veprimit, kompetencat dhe marrëdhënia institucionale me shtetin shqiptar, është përcaktuar si i tillë gjashtë vjet më parë. Në atë kohë ky mandat pasqyronte një stad të caktuar të zhvillimit të vendit, i cili prej katër vitesh kishte dalë nga kriza e piramidave. Me sa duket në MPJ-në shqiptare mendojnë tashmë se ky mandat është i tejkaluar. Një vend që ka nënshkruar MSA-në dhe që ka marrë ftesën në NATO, është një vend në rrugën e stabilizimit, sipas shumëkujt brenda administratës shqiptare. Një përcaktim ky interesant, por me sa duket së fundi jo edhe aq bindës për ndërkombëtarët, të cilët duken mjaft të rreshtuar pas idesë se mandati i prezencës nuk duhet prekur. Burime diplomatike në Tiranë thanë për MAPO-n se që prej disa muajsh pranë kryeministrit kanë ardhur propozime nga ana e trupit tonë diplomatik, që ndaj OSBE të adoptohet një linjë e re, e cila të marrë parasysh tkurrjen graduale të mandatit. Persona konkretë janë angazhuar para Berishës se janë në gjendje ta përballojnë këtë negociatë komplekse me organizatën në Vjenë dhe në Tiranë.
Gabimi
Por gabimi që ata kanë bërë, ka qenë që kanë dhënë një këshillë të keqe pranë kreut të qeverisë, për mënyrën sesi kjo do të kryhet. Dilema është e thjeshtë: të kërkohet ndryshimi i mandatit të organizatës, apo të përdoren rrugë të tjera, si shkurtimi dhe rishikimi i projekteve, çka të çon në të njëjtin rezultat. Më pak prani të OSBE në Shqipëri dhe një spektër më të kufizuar punësh që ajo kryen në terren. “Këshilltarët” duket se kanë bindur Berishën që kërkesa për kufizimin e mandatit të OSBE është një sfidë “e përballueshme”. Por, veç të tjerash, nuk kanë llogaritur një tjetër element të rëndësishëm: momentin. Të kërkosh të bësh një gjë të tillë, tani kur qeveria ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të saj, nuk mund të mos mendosh se kjo duhet të ketë lidhje me diçka të rëndësishme, siç mund të jenë zgjedhjet vitin qe vjen. Pikërisht ajo që diplomati amerikan u ka thënë gazetarëve shqiptarë. Po ashtu, të kërkosh papritur një gjë të tillë do të thotë të mos e njohësh fare organizatën, të mos njohësh mekanizmat funksionale të saj, interesat e shteteve pjesëmarrëse, të lojtareve kryesorë dhe sensibilitetet politike që lidhen me atmosferën e përgjithshme brenda organizatës. Ne duhet të mësohemi që këto punë nuk bëhen në momentin e fundit dhe kur të na teket. Këto janë procese dhe jo hapa të veçuar. Si të tilla, ato duhet të kenë vazhdimësi në vite, brenda një strategjie të qartë, realiste dhe pa vulën partiake apo dëshirën për ekzibicionizëm personal.
OSBE-ja
OSBE-ja është një organizatë thellësisht politike, dhe jo ndihme (aid organisation) apo donacionesh. Vendimet e saj janë vetëm politike dhe politikisht të detyrueshme për shtetet që i marrin ato me vullnetin e tyre të lirë dhe, si të tilla, po me vullnet i zbatojnë ato. Vendimet e OSBE-së kanë vendosur dhe reflektojnë standarde, norma dhe angazhime të marra në këtë mënyrë nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Kur ato nuk zbatohen nga shtete të veçanta, fillon presioni politik nga shtetet e tjera, për të siguruar zbatimin e tyre. Dhe kur një vend nuk i ka kapacitetet për zbatim të standardeve, atëherë OSBE-ja ofron ndihmë. Ky është sfondi politik brenda të cilit OSBE-ja dërgon misione në terren për të ndihmuar shtetet në arritjen e nivelit dhe zbatimin e standardeve. Problemi aktual shqiptar ka lidhje pikërisht me këtë moment. Pra, me dëshirën e Shqipërisë që këtë proces ta kryejë vetë, e çliruar nga monitorimi i OSBE-së nga njëra anë, si dhe me vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare për të mos ia dhënë këtë liri të pretenduar një vendi i cili kohë pas kohe vazhdon të prodhojë tension politik brenda vetes, të ketë probleme me administratën, korrupsionin dhe krimin e organizuar e trafiqet. Nëse vërtet ka vend për shkurtime të veprimtarive të OSBE-së dhe sigurisht që pas 10 vitesh pune, që nga mandati fillestar, vendi ka bërë përpara, pra ka vend për mbylljen e një sërë portofolash, kjo fare lehtë mund të bëhet pa prekur mandatin, që ka ngërthime të mprehta politike, përfshirë edhe të ashtuquajturin krijimin e precedentit, të cilit i ruhen shume shtete. Megjithatë, disa veprimtari mbyllen duke mbaruar projektet dhe duke mos kërkuar rinovimin e tyre, por kjo bëhet në koordinim me Prezencën në Tiranë, e cila programet për vitin pasardhës i paraqet në Vjenë, tek gjithë misionet, pra edhe tek i yni. Burimet diplomatike në Tiranë thanë për “MAPO”-n se pikërisht ky element që ka të bëjë me komunikimin me Prezencën, duket se ka çaluar tërësisht. OSBE-ja do të vazhdojë të qëndrojë në Shqipëri edhe për një numër vitesh, derisa ne do të vazhdojmë të mos dimë të orientohemi me vizion afatmesëm dhe afatgjatë. Pa harruar faktin se me sa duket ftesa për në NATO dhe nënshkrimi i MSA-së duket që nuk janë të mjaftueshme, sipas perceptimit të vendeve të mëdha perëndimore, përfshirë SHBA-të, që ne të ecim vetëm me këmbët tona. Po ashtu, dhe kryesorja, OSBE-ja është ende e domosdoshme në disa aspekte shumë të rëndësishme, siç janë reforma zgjedhore, reforma e Drejtësisë, aspekte të veçanta të qeverisjes, e ndonjë aspekt tjetër. Kryeministri e kuptoi gafën që kishin bërë diplomatët që i këshilluan një përballje të hapur e frontale me OSBE-në. Ai shpejtoi të ofrojë garanci se zgjedhjet e vitit të ardhshëm nuk do të bëhen pa dëshmitarë. Ky kthim prapa rezulton edhe më me shumë kosto politike përballë bashkësisë ndërkombëtare dhe e detyroi Berishën të ofrojë edhe më shumë gatishmëri për bashkëpunim me organizatën, se më parë. Një bumerang që ndoshta nuk duhej hedhur, pasi u kthye menjëherë mbrapsht.

Marrë nga revista “MAPO”

11 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›