Ëndrrat në “sirtar” të futbollistëve të Kombëtares
Kur presidenti i Lacios, Klaudio Lotito zgjodhi Igli Taren për të marrë përsipër detyrën e drejtorit teknik të klubit lacial, media sportive italiane u befasua jo pak. Por, Lotito kishte argumentet e tij në mbrojtje të 35-vjeçarit shqiptar: “Është luajal, karizmatik, i lidhur me klubin dhe flet pesë gjuhë. Është një punë e re për të, por besoj se do ta bëjë mirë. Ka një karakter të fortë”. Në fakt, të qenit sportist i suksesshëm shoqërohet gjithmonë me famën, publicitetin e përhershëm në media dhe zhurmën për gjithçka ndodh rreth teje, duke filluar intervistat e deri te blicet e paparacëve. Gjithsesi, këta lojtarë që fitojnë përmes këmbëve të tyre qindra e miliona euro në vit, marrin dhurata nga fansa të tyre apo presidentë klubesh, siç ishte rasti i fundit i portierit Ilion Lika, i cili mori një makinë luksoze që kushtonte 110 mijë dollarë nga presidenti i klubit çeçen Terek Grozni, të “detyron” të investigosh edhe për të kundërtën se çfarë do të donte të bëhej Lorik Cana, lojtari më i shtrenjtë shqiptar në treg (vlera e kartonit të tij llogaritet nga transfermarkt.de 14 milionë euro) nëse nuk do të bëhej futbollist. Futbollistët kanë pasion makinat: “Kam ndërruar dhjetë të tilla” - është shprehur para disa kohësh, futbollisti i Kombëtares e Tiranës, Devi Muka.
Lorik Cana, mes topit e historisë
Kapiteni i Marsejës e ka bërë publike “ëndrrën e tij në sirtar”, ashtu siç është përpjekur gjithmonë të fshehë me mister jetën e tij sentimentale, ku mediat jo ka herë kanë aluduar për marrëdhënie të tij me modele apo këngëtare shqiptare, apo dhe aktore të reja të famshme në Francë. “Nëse nuk do te isha futbollist, do të merresha me histori. Nëse nuk do të bëhesha futbollist, do të studioja për histori”, është shprehur mesfushori i kombëtares shqiptare dhe i Olimpikut të Marsejës, LORIK CANA, gjatë një interviste për gazetën “Albania”. “Më pëlqen shumë historia e vendit tim dhe lexoj shumë për të kur udhëtoj dhe qëndroj në hotel me ekipin në prag të ndeshjeve”- thekson Lorik Cana, që ka në trup dy tatuazhe, një shqiponjë dhe një përkrenare të mbretërisë dardane. Por Cana, është pjesë edhe e botës së modës, ose me saktë është imazhi i një kompanie të njohur belge. Në rrugët e Marsejës së zhurmshme dhe të kryeqytetit botëror të modës, Parisit, Lorik Cana është shfaqur me një “look” krejtësisht tjetër nga ai i futbollistit, Mesfushori i Olimpikut të Marsejës pozon për markës së njohur belge të veshjeve Bikkembergs, që njihet për vlerat dhe kualitetin e produkteve të saj. Loriku pëlqen makinat e shpejta dhe në parkingun e tij ka disa të tilla, ku pa dyshim e preferuara është një “Porsh”.
Erion Bogdani, “Princi i Epirit”, biznesmeni i ardhshëm
Në Shqipëri të gjithë futbollistët e rinj e adhurojnë, e kanë modelin e tyre. Erion Bogdani, natyra i ka falur hijeshinë. Të gjithë fotografët fiksojnë buzëqeshjen e tij, teksa flokët e gjatë i mban lidhur fort me një fjongo të zezë. Eri, një emër i shquar i futbollit shqiptar në Itali është i diplomuar për administrim biznesi, ndërkohë që flet të paktën katër gjuhë të huaja. Po cili është “hobi” i tij, pas futbollit i “Princit të Epirit”, siç e quan shpesh media italiane. “Tani për tani i kam lënë librat pasi i jam kushtuar tërësisht futbollit. Në Itali është një kampionat i vështirë dhe një futbollist duhet t’i kushtojë thuajse gjithë ditën apo komplet javën, stërvitjes, regjimit. Kur të lë futbollin besoj se do ta shfrytëzoj më së mirë diplomën time”- tha ai disa kohë më parë për “Albania”-n. Në vend të një Bogdani të djersitur në fushën e gjelbërt, do të shohim një Erion me kollare, para një kompjuteri dhe me makinë llogaritëse në dorë. Ka filluar të projektojë futbollisti Bogdani biznesmenin e ardhshëm? “Ende jo. Kam një kontratë me Kievon dhe nuk arrij ta përfytyroj veten si një biznesmen. Dua të përqendrohem të bëj sa më shumë gola. Kur të mbyll karrierën dua të hap një kapitull biznesmeni po kaq të suksesshëm sa ky i futbollit”. Gjithmonë i veshur shik e elegant, Bogdani është një njeri i lindur për të qenë pjesë e salloneve mondane, ose më mirë i ceremonive luksoze, ku veshja është e përcaktuar. “Shopingu është pjesë e rëndësishme e jetës sime. E hëna është gjithmonë një ditë pushimi kur fillon kampionati dhe i kushtohet tërësisht shopingut. Në fakt më pëlqen ta bëj në qytete të ndryshme. Verona është thuajse në qendër të Italisë dhe është shumë afër me Milanon, Venecian, Bergamon, Bolonjën”.
Altin Lala, “farmacisti” i produkteve bio
Ka deklaruar se ende ka forcë për të luajtur edhe dy vjet në nivel të lartë si me ekipin e tij në Gjermani, Hannover 96 (luan prej 10 vjetësh me këtë skuadër) e për përfaqësuesen shqiptare. E Altin Lala nuk dëshiron që pasi të varë këpucët në gozhdë të veshë tutat e trajnerit. “Mund të kesh 25 lojtarë, por vetëm 11 mund të luajnë, pjesa tjetër të urren”. Dhe kështu, që Lala nuk dëshiron as të jetë këshilltar apo menaxher lojtarësh. Përveç kënaqësisë për të dhënë autografe fansave të klubit të tij 32-vjeçari kuqezi, i cili është në radhët e Hanoverit që nga viti 1998, është martuar më një italiane dhe pëlqen të jetojë në Gjermani pas futbollit. “Mister 100 për qind’ apo “Dyluftuesi” siç etiketohet ai në sitin zyrtar të klubit njihet për kontributet e tij humanitare dhe është shndërrua në një figurë kulti të fansave në Hanover 96. Nga ana tjetër shqiptari është partner i Dirk Rosman në kompaninë shqiptare të produkteve Bio (Drogerie-Geschaft). Një rrjet i madh dyqanesh që shtrihet në të gjithë botën.
Murati, nga “Maradona i futbollit, te ai taksive”
Edvin Murati, i mbiquajturi. “Maradona i Ballkanit” tashmë i larguar ka varur këpucët në gozhsë. “Lushja” tani punon si menaxher futbolli pranë zyrës së të vëllait të tij, Sokol Murati, një kompani me qendër në Paris. Gjithsesi, Murati një nga futbollistët më modernë të futbollit shqiptar, i rritur si lojtar në Francë e Greqi, sipas asaj që ka deklaruar kohë më parë do të merret me një biznes që është shumë pak larg futbollit. Vjehrri i tij zotëron në Paris një kompani të madhe sigurimesh kur sigurohen të gjitha taksitë e kryeqytetit francez. Por në agjendën e ish-mesfushorit të Paris Sën Zhermenit dhe autorit të golit të parë në fitoren e madhe kundër të Kombëtares kuqezi kundër Greqisë ndodhet edhe plani i biznesit të shitjeve të drejtave televizive të kampionatit francez në Greqi. “Lushja”, i cili bëri një dasmë spektakolare, foto e të së cilës lanë pa mend shqiptarët.
Besart Berisha, futbollisti i “Tingullit 3”
Në do të zihesh me Besart Berishën e të mbash mëri për një kohë të gjatë, gjëja e vetme që mund t’i bësh është t’ia fshehësh CD-playerin për pak kohë. Kosovari Besart Berisha, autorin i një goli të mrekullueshëm në miqësoren kundër Anglisë B, kohën e lirë e kalon duke dëgjuar vetëm muzikë. Madje, futbollisti kosovar që militon në radhët e anglezëve të Bërnlit u shpall fitues i një garë brenda ekipit kur këndoi gjatë fazës përgatitore të klubit të Championship një këngë shqiptare (edhe pse askush shokët e tij të skuadrës nuk kuptoi asnjë fjalë). Cila është ëndrra e Berishës? “Kam dëshirë të shkoj të luaj në Brazil në futbollin në rërë. Kjo është dhe ëndrra ime. Dua t’u tregoj atyre se jo vetëm janë teknikë në rërë, por ka dhe shqiptarë që e zotërojnë atë”, pohoi gjatë një interviste për “Albania”- në prag të ndeshjes me Luksemburgut. Gjatë grumbullimeve të Kombëtares në hotel “Adriatik” Besartin e shikon gjithnjë me kufje në vesh. “Tani që jam në Kombëtare ma ka qejfi të dëgjoj ndonjë këngë të Nora Istrefit. Zanfina Ismaili këndon mirë dhe është vajzë e këndshme, ndërsa Adelina Ismaili ka sjellë një rrymë të re në muzikën kosovare. Përse më pëlqen “Tingulli 3”? Kanë stilin e këngëve të tillë që më pëlqen. I dëgjoj gjithmonë përpara lojës”, - tha gjatë një interviste të mëparshme për gazetën “Albania”, Berisha, i cili tani është rehabilituar plotësisht pas dëmtimit, që e la një vit pa luajtur.
Hamdi Salihi, doktori i ardhshëm
Ndoshta mund të ndodhë pas disa vitesh që të sëmureni, dhe të vizitoheni te një mjek, që nuk e ndan nga vetja stetoskopin dhe topin. Pas bluzës së bardhë të mjekut, do të dallonit shumë lehtë një bluzë futbollisti. Ky do të ishte Hamdi Salihi pasi të linte futbollin. Ose të paktën kjo situatë do të ndodhte, nëse sulmuesi shkodran i austriakëve të SV Riedit, do të përmbushte ëndrrën e tij: të behej mjek. Salihi mund të jetë një nga mjekët e ardhshëm shqiptarë, pas përfundimit të karrierës futbollistike. Golashënuesi më i mirë i SV Ried, “vdes” për të lexuar dhe mendon se për të ka ardhur koha që përveç futbollit të merret edhe me studimet, ku 26-vjeçari ka dëshirë të vazhdojë për mjekësi. Edhe në jetën e tij private Hamdiu është po aq i suksesshëm dhe gëzon simpatinë e tifozëve por dhe të drejtuesve të klubit. Ish-sulmuesi i Tiranës, i mbiquajtur nga trajneri Oto Bariç, si “Gerd Myleri i Shqipërisë”, pohoi gjatë një interviste për “Albania”-n se tashmë ishte mësuar të jetonte vetëm dhe se kohën e “vriste” duke lexuar.
Alban Bushi nuk ndahet dot nga topi
Golashënuesi më i mirë i Kombëtares shqiptare, Alban Bushi, nuk dëshiron të kryejë detyrën e trajnerit. Gjatë një intervistë “360 gradë” për gazetën greke “Goal News”, “Loku” bën publike dëshirën e tij. “Të bësh trajnerin është shumë e vështirë. Profesioni i trajnerit është shumë më stresues se sa i futbollistit. Do të më pëlqente të punoja si menaxher i kombëtares shqiptare ose edhe të bëhesha presidenti Federatës Shqiptare të Futbollit”.
9 Gusht 2008