LSI kërkon ndryshimin e Kodit zgjedhor

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo sqaron se megjithë debatet dhe emrat që kanë dalë në media për emrat e ministrave të rinj, mes LSI dhe PS nuk ka ende asnjë ndarje. Në një intervistë për mediat, Tavo tha se është ende herët për të folur për emra, pasi më parë do të duhet të përcaktohet vizioni i qartë i qeverisë.
“Nuk ka lidhje asgjë nga ajo çka thuhet. Sikurse është deklaruar edhe nga z. Rama dhe z. Meta, është shpejt për të folur për dikasteret që do të drejtohen nga LSI, PS apo nga forcat e koalicionit. Është shumë e rëndësishëm që para se të ndahen dikasteret të vihen piketat se ku duhet të shkojë kjo qeverisje”, u shpreh Tavo.
Tavo u ndal edhe te diskutimet për ndryshimet kushtetuese, më konkretisht asaj pjese që ka të bëjë me Kodin zgjedhor. Për Tavon, ndryshimet në vitin 2008 sollën pasoja për LSI-në, andaj rishikimi është një kusht për këtë mazhorancë.
“Besoj se duhet dhe do jetë një nga çështjet që do të diskutohet në këtë mazhorancë të forcave të majta. LSI nuk mund ta harrojë atë që ka ndodhur në 2008. Jo vetëm nuk do e harrojmë por në çdo moment do të jemi shumë të gatshëm të rishikohen ato ndryshime, që janë bërë me qëllim jo të mirë ndaj LSI-së”, theksoi Tavo./Indeksonline/