E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Do rialokojmë fondet e buxhetit. Kodheli: U shpenzuan për fushatën e PD-së

TIRANË- Ministri i Financave ka deklaruar sot se do të ndryshojë destinacionin e parave të buxhetit të shtetit, për arsyeje se disa projekte mbeten të pa mbyllura. Pas daljes së tij publike ka reaguar Partia Socialiste duke deklaruar se paratë e buxhetit shkuan për fushatën e PD-së, dhe Bodes i duhet tashmë të mbyllë vrimat.

"Ne jemi duke riparë buxhetin, me qëllim rialokim të fondeve, pasi disa projekte nuk mund të realizohen brenda këtij viti, ndaj ne parashikojmë të kursejmë 8 deri 9 miliardë lekë. Këto para do t'i shpërndajmë në projekte, të cilat kanë avancuar më shumë dhe kanë nevojë për financim", - tha Bode në konferencë për shtyp. Ai pohoi se situata aktuale buxhetore në mbledhjen e të ardhurave dhe në shpenzime është stabël.

Ndërkohë, zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli e pyet publikisht z.Bode se pse paratë e privatizimeve abuzive të pasurisë së përbashkët të shqiptarëve, po bëhen gati për të mbushur arkën e boshatisur nga fushata e grabitjes së votës. "Ministri i Piramidave duhet t'ju thotë shqiptarëve nëse i ka shlyer detyrimet e mëdha që u ka kjo qeveri, firmave të tjera të rrugëve të hapura nëpër Shqipëri", u shpreh Kodheli. "Edhe në rastin kur Guvernatori i Bankës, edhe pse me një gjuhë shumë diplomatike, flet qartë për krizë ekonomike kërcënuese, ministri i financave çuditërisht pranoi sot se situata ekonomike në vend tashmë është e qëndrueshme", vijoi ai.

Bode i kundërshtoi zërat politike duke u shprehur se "Banka e Shtetit nuk është boshatisur dhe në llogarinë e saj, qeveria rezulton në datën 21 gusht me 4.8 miliardë lekë dhe 97 milionë euro".



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›