LSI përcakton objektivat për koalicionin e ardhshëm qeverisës
Kryetari të KDK-së, Edmond Haxhinasto e cilësoi dje vendimin e Konventës Kombëtare, për të marrë pjesë në qeverisjen e ardhshme të drejtuar nga kryeministri Sali Berisha, si një shembull i qartë i funksionimit të demokracisë së brendshme në Lëvizjen Socialiste për Integrim.
“Konventa ishte një shembull i qartë i funksionimit të demokracisë së brendshme në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe pasqyrë e hapësirave për shprehjen e mendimit ndryshe dhe për respektimin e tij”, u shpreh Haxhinasot.
Ai vuri në dukje se Konventa e Jashtëzakonshme Kombëtare e LSI, miratoi një Rezolutë për pjesëmarrjen e LSI në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, si fituese e zgjedhjeve te 28 qershorit 2009, si dhe mandatoi Kryetarin e LSI, Ilir Meta të negociojë me Kryetarin e Partisë Demokratike për krijimin e koalicionit qeverisës.
“Konventa vlerësoi vendimin e LSI për pjesëmarrje në koalicionin qeverisës si alternativën e vetme për të garantuar stabilitet politik në vend dhe për të vazhduar proceset integruese”, deklaroi kreu i KDK-së, Edmond Haxhinasto.
Sipas tij, “Konventa konkludoi se dalja nga kriza aktuale ekonomike, reformat e integrimit evropian, lëvizja e lirë e shqiptarëve në BE, reforma zgjedhore dhe pavarësia e gjyqësorit do të jenë objektiva kryesore edhe për koalicionin e ardhshëm qeverisës”.
...