Gjinushi, si kofini pas të vjelit, i mbetur pa asnjë mandat, akuzon Ramën, për asgjësim dhe vjedhje votash

Edhe kryetari i PSD-së e kuptoi më në fund kush e ka fajin për humbjen e opozitës
Skënder Gjinushi, një nga “të rinjtë e politikës së re” të Edi Ramës që u bë pjesë e kësaj thashetheme dhe që konkurroi në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, duke marrë si përfitim skarcitetin politik vetëm dje gjeti momentin të shigjetojë kryesocialistin ende në detyrë.
Pas një periudhe të gjatë heshtjeje politike dhe pas pretendimeve për një përfaqësim të mundshëm në legjislaturën e ardhshme parlamentare, një nga xhaketat e vjetruara të politikës shqiptare, ish-ministër i diktaturës, Skënder Gjinushi hedh akuza në drejtim të Edi Ramës, për dështimin e thellë të së majtës në zgjedhjet e 28 qershorit dhe se PS i ka vjedhur votat PSD-së, duke ndërmarrë një proces shkatërrimi për partitë e tjera të kampit të majtë. Gjinushi deklaroi se Edi Rama dhe Partia Socialiste i kanë vjedhur votat dhe se kanë implementuar një strategji shkatërruese për partitë e vogla, specifikisht PSD-në, një aleate e gjithëkohshme e PS-së, ardhur kjo nga trashëgimia e përbashkët, ajo komuniste, e partisë më të madhe në opozitë dhe Skënder Gjinushit.
Pas një heshtje 10 ditore që pasoi procesin zgjedhor të 28 qershorit Skënder Gjinushi shfaq hapur dhe publikisht pakënaqësitë ndaj Partisë Socialiste dhe Edi Ramës.
Sipas tij, ligji i ri zgjedhor ka si synim kryesor të asgjësojë partitë e vogla politike. Ndërkohë, që Gjinushi e bën këtë deklaratë tani pas zgjedhjeve, kur ka mësuar se tashmë nuk është pjesë aktive e politikës dhe se ka humbur karrigen e deputetit.
Gjinushi heshti, nuk iu kundërvu Edi Ramës kur propozoi sistemin e ri zgjedhor dhe që u miratua me konsensusin e PD, pasi kishte marrë premtimin nga Edvini që nëpërmjet votave të trafikuara dhe të vjedhura, PS dhe PSD do të mbeteshin në politikë. Pas dështimit të këtyre planeve famëkeqe, pas dështimit të Edi Ramës dhe PS, Gjinushi ndjehet i braktisur dhe sigurisht do të shigjetojë atë që e mashtroi, Edi Ramën.
I mbetur pas asnjë mandat në kuvendin e ri, Skënder Gjinushi, kryetar i PSD, fokusohet edhe tek bashkëpunimi PD-LSI të cilin në dy fjalë e konsideroi pazar politik.
...