E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Truri” përtej së majtës e të djathtës

Rexhep Meidani 

Dy përshtypje paralele. Nuk e di, por më ka bërë tepër përshtypje lajmi i fundit mbi vendimin marrë nga familjarët për varrimin e Xheksonit pa futur brenda në arkivol dhe trurin e tij. Jo sepse ky veprim lidhej me interesa shkencore të mirë-fillta, por, mbi të gjitha, për t’iu përgjigjur dyshimit njerëzor, pse jo dhe pretendimit për të zbuluar përgjegjësitë dhe shkaqet që çuan në humbjen e jetës  së këtij këngëtari të veçantë.   Paralelisht me të, një përshtypje tjetër ishte dhe ajo që lidhej me fazën përmbledhëse të zgjedhjeve të fundit në Shqipëri. Aq më tepër që në procesin e numërimit të votave në vend të korrektësisë qytetare profesionale u shfaq po ajo sëmundje e mëparshme e militantizmit pa tru, pra dhe e mungesës serioze të ndershmërisë politike-zgjedhore. Pa reaguar ende me forcë ndaj kësaj sëmundje të turpshme, dëshmi kjo e drejtpërdrejtë e korrupsionit politik (zgjedhor), u shfaqën nëpër ekrane televizive, mjedise partiake apo kafenetë e kryeqytetit, në mungesë të një “dixhestioni” të domosdoshëm, variante të mundshme “marrëveshjesh” qeverisëse, edhe pse fillimi i veprimtarisë së kuvendit të ri i takon vetëm fillimit të shtatorit...
Në këtë logjikë, me thënë të vërtetën, nuk m’u duk fare çudi kur një mik i vjetër, sapo i kthyer në Shqipëri, pa i zgjatur më tej “batutat e shëndetit” tha: “Epo, pse po zbrazin breshëri të tilla ndaj të ashtuquajturës tradhti, kur në vetvete vendimi i fundit i LSI-së është një mishërim praktik i tezës dyvjeçare të PS-së aq shumë të përdorur: “Përtej të majtës dhe të djathtës”. Përse ankohet atëherë lidershipi socialist kur një leksion të tillë po e shfrytëzojnë po aq mirë të tjerë! A nuk është ky rrezatim i një politike të re me efektivitet të lartë!”…
Lexohej menjëherë në këto fjalë ironia e tij. Ndoshta, ai kishte dhe të drejtë! Mundet që teprimi i shfaqur kishte kapërcyer kufij të pakapërcyeshëm! Aq më tepër duke pretenduar rrezatimin në një eter pa materie, deri duke yjëzuar këtë lloj politike, i besohej si “misionit hyjnor” të kapërcimit ylberian me teza “apolitizmi”, ashtu dhe atij blerian të tipit të përtej së majtës dhe të djathtës!… Diku thjesht si demagogji, diku edhe duke përqendruar pushtet politik, diku dhe duke propaganduar bashkëpunimin e gënjyer aleatët! Por, ama, në një fushë të veçantë ku medalja e vërtetë e specialitetit përkatës i takonte dhe vazhdon t’i takojë deri tani Berishës...    
 
Memorie pa fare memorie
Për kujtesë të lexuesit dhe për të mos “kafshuar”, si dhe në raste të tjera, sapunin për djathë, po rreshtojmë thjesht disa deklarata “180 gradëshe” të këtij të fundit, që ende sot, për “çudi” dhe me papërgjegjshmëritë e tij të fjalës vazhdon të votohet nga gati gjysma e shqiptarëve:
 …24 qershor. P.sh., në këtë datë, duke hedhur poshtë një qeverisje me të dy koalicionet e majta, ai thekson: aq sa mund të bëjë koalicion qeverisës me PS-në, aq mund të bëjë me LSI-në. As me njërën dhe as me tjetrën, absolutisht. Nuk janë për koalicion, nuk janë këto forca politike. Më thuaj ti mua se çfarë dëgjove nga programi i tyre, më thuaj, dil e bëj një anketë, pyet 100 shqiptarë dhe nëse do të thonë një fjali të vetme nga programet e dy forcave.
...4 korrik. Nga partitë, me të cilat programet janë më afër, është LSI-ja. LSI-ja në programin e saj ka një yll polar integrimin e Shqipërisë në BE. LSI-ja në programin e saj ka punësimin si kryefjalë të reformave dhe përpjekjeve të saj. LSI-në e ftoj, gjithashtu, me bindjen time se kjo nuk ka të bëjë me shifrat në parlament, por ka të bëjë me faktin se ajo është një përfaqësuese dinjitoze e spektrit të majtë...
...14 mars. Duke thënë këtë që nuk ka koalicion, theksoj se politika është arti i zgjidhjes së problemeve. Si PS-ja dhe LSI-ja janë një mollë e kalbur, e ndarë më dy pjesë...
... 4 korrik. Ah, me limonada elektorale merresh ti... Si thotë Konica, fjalë kazani...!
 
Thjesht për krahasim
     Kjo puna e kalimeve nga “një anë e ylberit në anën tjetër”, po ashtu si dhe puna e pretendimit të “pranisë” së tepërt të trurit apo e “mungesës” së tij, veçanërisht në një organizim apo bashkësi politike, shpesh provokon kërcime të çuditshme, luhatje e ndikime, edhe pse diku pozitive apo diku tjetër negative. Më shqetësueset janë ato që pasqyrohen si zhgënjime në formë e përmbajtje. Pse jo dhe ato mishërime jo labile, deri infektuese, që cenojnë vetë gjykimin politik. Aq më keq kur mendohet e gjykohet se qytetari mund të gabohet e tërhiqet me lehtësi nga lideri apo lidershipi politik. (Pa harruar që për militantizmin e karakterit emocional një gjë e tillë mund të rezultojë edhe tërësisht e vërtetë!). Ndryshe nuk mund të shpjegohen premtimet e deklarimet e përsëritura, bile dhe nga më të habitshmet të politikës shqiptare. Të paktën, për këto gati 20 vjet tranzicion, të ishte mësuar arti i durimit, pse jo dhe ai i “kafshimit të gjuhës” përpara përdredhjes së saj! Sidoqoftë, thjesht për krahasim, po rreshtohen këtu poshtë, edhe pse jo fjalë për fjalë, disa nga deklaratat e fundit demagogjike të krerëve aktualë të tri forcave protagoniste pas zgjedhore:     
     - Kreu i PD-së për LSI-në deklaron: Kemi program të njëjtë dhe ata kanë si yll polar integrimin e Shqipërisë në BE dhe punësimin e shqiptarëve. Programi i LSI-së afrohet shumë me atë të PD-së. Ky është një koalicion integrimi…
      Ndërsa atë përcaktimin “gjysma e tjetër e kalbur e mollës” për LSI-në, si në rastin e akuzave të dikurshme ndaj Nano-s, ai, po me atë papërgjegjshmëri konstante politike e qytetare, e konsideron atë akuzë thjesht “një limonadë elektorale”….
       - Kreu i LSI-së për bashkëpunimin qeverisës: Janë një sere faktorësh që e çojnë LSI-në në këtë vendim, si: kriza ekonomike, rëndësia e stabilitetit politik e institucional në vend; një vendim për liberalizim që i intereson vendit dhe Shqipërisë...
      Por, ama, ndërkohë në fushatë kjo forcë politike kishte deklaruar me mjaft bujë e forcë që ajo që do të hidhte poshtë qeverinë e Gërdecit dhe shefin e saj...
      - Kreu i PS-së për LSI-në: Ai, pasi e quan kryetarin e LSI-së një “patericë të kryeministrit të rrëzuar” ai “qan” për 83 mijë zemra opozitare, që votuan LSI-në (dhe u trafikuan nga “tradhtia” PD-LSI)… Për më tepër, marrëveshja PD-LSI është pjesë e politikës së vjetër. Dhe më tej thekson se qëllimi i qeverisë së re është marrja e kontrollit e të gjitha fijeve të interesave në Shqipëri; për shkak të një oreksi të pakontrollueshëm për pushtet dhe për kontroll mbi kanale interesash të drejtpërdrejta financiare…
     Dhe e gjitha kjo e mishëruar si një dhimbje politike, ndërkohë kur gjatë fushatës elektorale sulmi zgjedhor, përqendrimi propagandistik dhe politik i PS-së ishte akuzimi, reduktimi i votës, deri mënjanimi i LSI-së. Duke harruar që muaj më parë vetë PS-ja, në bashkëpunim me PD-në, brenda një nate, realizoi disa amendamente kushtetuese që preknin kolona bazë të mekanizmave demokratikë të kontroll-balancimit e ndarjes së pushteteve në Shqipëri. Aq më pak e kuptimtë, bile larg të qenit demokratik, duket dhe deklarata e lëshuar si kalimthi se “kush mendon se më dobësoi më ka forcuar” nga kryetari i PS-së. Ndërkohë, që dobësimi i një drejtuesi brenda një bashkësie politike është gjëja më e parëndësishme për t’u konsideruar, përkundrejt një humbjeje zgjedhore, pse jo dhe lënies në rrugë të disa qindra mijëra votuesve kampit të majtë. Aq më tepër, krahasuar me “llastimin” e manifestuar apo kokëfortësinë shkatërrimtare, për të evituar me domosdo përçarjen në kampin e majtë, me dirigjimin e jo luajalitetit ndaj aleatëve të koalicionit në fushatë dhe, mbi të gjitha, me vertikalitetin e tepruar, nga njëra anë, e horizontalitetin e zbehtë të kësaj fushate, nga ana tjetër. Ushqyer kjo dhe nga prirja e menduar e tejkaluar për akumulim përzgjedhje e vendimmarrje, për një projeksion e ndërtim individual e megaloman pushteti, pra dhe për një përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›