LSI takim elektoral ne qytetin e Krujes
Kruja u njoh me kandidatët për deputet të LSI në qarkun e Durrësit, veçanërisht për qytetin e tyre.
Bujar Derveni është njeriu i zgjedhur nga kjo parti për të zbatuar prioritetet e programit të LSI. Më kryesori i të cilëve është punësimi sipas kryetarit Ilir Meta.
“Ne besojmë se Kruja ka një të ardhme të shkëlqyer, sikurse ka një histori të shkëlqyer, por ka nevojë për më shumë mbështetje nga shteti dhe nga qeveria. Ndaj ne angazhohemi edhe përmes programit tonë për katër vitet e ardhshme, ku prioriteti i parë, i dytë dhe i tretë është ai i punësimit, të mbështesim qytetarët e Krujës, të rinjtë e Krujës, për të ecur më shpejt në këtë rrugë. Për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe potencialet që ka Kruja, sidomos për zhvillimin e Turizmi, për zhvillimin e sektorit të shërbimeve, për zhvillimin e mëtejshëm e biznesit fason, ku punojnë me qindra e qindra gra dhe vajza të reja”, vuri në dukje Meta.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim vlerësoi faktin se partia e drejtuar prej tij ka vënë në plan të parë interesat e vendit.
“Ishte LSI ajo që bashkoi Parlamentin shqiptar në kulmin e fushatës elektorale për një qëllim të përbashkët, për të votuar tre ligjet, në mënyrë që Shqipëria brenda këtij viti të marrë statusin e vendit kandidat dhe unë jam i bindur që ne do ta marrim dhe kontributi i LSI-së do të ngelet një kontribut historik. Vendi ka nevojë për ndryshime më të mëdha. Slogani ynë është “Të ecim më shpejt”, që do të thotë se ne nuk mohojmë arritjet e deritanishme por ne jemi të bindur se po të vazhdohet me këtë vetëkënaqësi, po të vazhdohet me këtë eufori problemet do të shtohen akoma më shumë”, deklaroi Meta.
Në përfundim Meta shprehu bindjen në suksesin e LSI-së në Krujë dhe në të gjithë Qarkun e Durrësit.