PDIU takon anetare e simpatizante ne Korce
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka vijuar takimet elektorale në Qarkun e Korçës.Fillimisht Kryetari i PDIU-së zoti Shpëtim Idrizi është ndalur në qytetin e Pogradecit ku ka prezantuar kandidatin e PDIU-së, zotin Arbër Kulla. Gjatë fjalës së tij, zoti Idrizi ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në politikë, si një mundësi që u jepet atyre për të vendosur vetë për çështjet që kanë të bëjnë direkt me të ardhmen e tyre.
"Miq, të rinjtë janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë sonë dhe si e tillë ne duhet t'u kushtojmë atyre kujdesin maksimal. Ka ardhur koha që të rinjtë të vendosin vetë për fatin e tyre dhe përfshirja e tyre në politikë, është një garanci për këtë. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka treguar se mbështetet shumë tek të rinjtë dhe një shembull konkretë është Klubi i Patriotëve te Rinjë, të cilët kanë qenë pjesa më vitale e partisë sonë. Prandaj miq, unë ju ftoj që më datë 23 qershor të votoni numrin 50, Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet si forca e vetme që ka në themel të saj çështjen kombëtare e ju jep prioritet të rinjve", tha Idrizi.
Qyteti i Bilishtit ishte ndalesa e radhës, ku kryetari i PDIU-së zoti Shpëtim Idrizi prezantoi kandidatin për deputet, zotin Spartak Meraku. Nga qendra e Devollit, zoti Idrizi u bëri thirrje qytetarëve që me votën e tyre më datë 23 qershor t'i japin Korçës, atë që meriton, një deputet patriot.
"Korça është djepi i kulturës, trashëgimisë e patriotizimit, prandaj ka ardhur koha që ky qytet të përfaqësohet në Parlamentin e Shqipërisë me patriotë. Për këtë arsye unë ju ftoj që më datë 23 qershor të gjithë të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të votoni numrin 50 në mënyrë që Korça të këtë një zë patriot, një zë që e do qytetin dhe mbi të gjitha një zë që punon për çështjen kombëtare", deklaroi ai.
Lista e kandidatëve për deputet të PDIU-së në Qarkun e Korçës kryesohet nga zoti Spartak Meraku, i pasuar nga zoti Arbër Kulla dhe nga 10 kandidat të tjerë të cilët përfaqësojnë të gjitha zonat e Qarkut të Korçës.