LSI trembet nga kapërcimi i krizës institucionale, përmes një ligji organik për funksionimin e Presidencës
Lëvizja Socialiste për Integrim ka kundërshtuar propozimin e PS-së për të bërë disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit, që lidhet me shqyrtimin e kandidaturave për institucionet kushtetuese. Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, u shpreh se “LSI denoncon me forcë nismat e paralajmëruara nga maxhoranca e nga segmente të opozitës mbi hartimin e të ashtuquajturit “ligj organik” për Presidentin e Republikës, pasi një tentativë e tillë dhunon në radhë të parë edhe atë pjesë ende të padhunuar të Kushtetutës, që ka të bëjë me institucionet kushtetuese dhe ekuilibrat institucionalë”. “Çdo tentativë politike, qoftë edhe e përçuar nëpërmjet Kuvendit, për të interferuar në një proçes të tillë, do të konsiderohet nga LSI si një tentativë antikushtetuese”, tha Xhufi. Sipas tij, LSI shpreh konsideratat dhe mbështetjen e vet ndaj institucionit dhe personit të Presidentit të Republikës, ashtu si dhe ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme e të gjyqësorit në përgjithësi, të cilët më së shumti kanë qenë këto kohë nën presionin e establishmeneve të politikës së vjetër e të korruptuar. “Në mënyrë të veçantë, duke iu referuar çështjes së përzgjedhjes së kandidaturave për Gjykatën e Lartë, ne konsiderojmë se është në përmbushje të detyrave kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe në gjykimin e tij sovran, të vendosë për kandidaturat në fjalë. Ne vlerësojmë vendosmërinë e Presidentit të Republikës të konsultohet edhe më tej për këtë çështje me përfaqësuesit më të spikatur të jurisprudencës shqiptare, mbi bazën e profesionalizmit e të integritetit moral të çdo kandidati. Çdo tentativë politike, qoftë edhe e përçuar nëpërmjet Kuvendit, për të interferuar në një process të tillë, do të konsiderohet nga LSI si një tentativë antikushtetuese e rradhës për uzurpimin apo parcelizimin politik të një institucioni kushtetues, me rol të pazvendësueshëm në afirmimin e shtetit ligjor e në luftën kundër krimit e korrupsionit”, vijoi ai. Partia Socialiste, propozoi dy ditë më parë, disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit për nenet që parashikojnë procedurat që ndiqen për dekretet e Presidentit. Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i tij ia kalon kërkesën komisionit të Ligjeve, i cili brenda 7 ditësh shqyrton nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret ligjore.