E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngërçi i Gjykatës së Lartë nuk prish konsensusin për reformën zgjedhore

Me afrimin e vitit elektoral, reforma zgjedhore po kthehet një ndër cështjes kryesore të politikës. Duke përfituar edhe nga eksperienca jo shumë e mirë porsa i takon arritjes së standardeve në realizimin e zgjedhjeve të rrregullta të lira dhe të ndershme, partitë politike po hedhin hapa përparues konsensualë për të bërë ndryshimet e duhura të kodin zgjedhor. Nisur nga kjo cështje tejet problematike partia më e madhe në opozitë, PS, kërkoi dje ngritjen e një komisioni të posacëm për ndryshimet në kodin zgjedhor. Kryetarja e grupit parlamentar Socialist, Valentina Leskaj, deklaroi dje se është e nevojshme ngritja e një komisioni ad hoc në mënyrë që të fillohet nga puna hartimi i kodit të ri zgjedhor. Duke shprehur shqetësimin e opozitës në lidhje me vonesën e proçesit për reformën zgjedhore, Leskaj theksoi se “brenda javës së ardhshme duhet të ngrihet komisioni për ndryshimet në Kodin Zgjedhor me përfaqësues të partive politike parlamentare për t’i dhënë udhë proçesit”. Ka mbetur afërsisht një muaj deri në mbylljen e këtij sesioni dhe lënia e këtij proçesi për në shtator, do ishte një pengesë për përgatitjen normale të zgjedhjeve”, deklaroi Leskaj. Ajo theksoi se duhet t’i jepet një vëmendje çështjes së kartave të identitetit dhe regjistrit të votuesve. Leskaj nënvizoi gjithashtu faktin se “PS është e gatshme për të punuar me të gjithë faktorët në këtë drejtim”. Në këtë drejtim, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Partisë Demokratike. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, duke vënë theksin te bashkëpunimi me PS-së për çështjen e reformës zgjedhore deklaroi me tone bashkëpunuese për ngritjen e komisionit të posacëm për ndryshimet në kodin zgjedhor. Patozi vuri në dukje se është humbur shumë kohë që nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese më 21 prill. “Ka pasur dy mundësi për të avancuar përmes komisionit të ligjeve dhe mundësia e dytë për një komision të posacëm. Sot na kërkohet komisioni i posacëm dhe ne jemi dakort që të nisë që javën që vjen”, deklaroi Patozi. Ndërkaq, reforma zgjedhore dhe ajo në sistemin e drejtësisë kanë qenë dy nga prioritet kryesore të dy partive të mëdha në vend. Përderisa reforma në drejtësi nuk është e limituar në afate, ajo zgjedhore duket më e vështirë dhe më komplekse, Kodi i ri Zgjedhor duhet të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar për të siguruar kohën e domosdoshme për sigurimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›