E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ftesa e NATO-s, fundi i nëpërkëmbjes së kombit tonë

Në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në qytetin e Korçës, ku përuroi një sërë investimet infrastrukturore, financive të qeverisë dhe njësive vendore. Gjatë kësaj vizite kryeministri Berisha, zhvilloi edhe një takim me qytetarët e Korçës, në sallën e teatrit “A.Z. Çajupi”, të cilët i informoi mbi arritjet e qeverisë që drejton gjatë tre viteve të fundit. Kryeministri u ndal fillimisht tek momenti i marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, duke e cilësuar atë si “arritjen me të madhe historike të shqiptarëve”. “Ftesa për NATO, një prestigj i madh për të gjithë, është fundi i nëpërkëmbjes së kombit tonë dhe një pasaportë e re për Shqipërinë”, tha z. Berisha, duke cilësuar se kjo arritje u bë e mundur në sajë të reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria në këto tre vjet. Këtu z. Berisha përmendi “luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar, e kurorëzuar me asgjësimin e bandave kriminale". Kjo luftë, vijoi Kreu i Qeverisë, kontribuon në rritjen e sigurisë së jetës së qytetarëve, e cila është prioriteti parësor i qeverisë. Kryeministri evidentoi si sukses të ekzekutivit edhe rezultatet në luftën kundër korrupsionit. “Shqipëria nga një vend me korrupsion të lartë tre vite më parë sot ka shënuar arritje të dukshme dhe të pakrahasueshme në luftën kundër këtij fenomeni”, tha z. Berisha, ndërsa nënvizoi se “jo se sot nuk ka korrupsion dhe shpërdorime, por administrata aktuale shpenzon 31% më pak se administrata e qeverisjes parardhëse”. Z. Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë veprimet korruptive të kujtdo. “Duhet të luftojmë së bashku për ta çrrënjosur këtë kancer”, vijoi z. Berisha, duke siguruar se “Qeveria do të mbështesë secilin nga ju në këtë betejë, me mirënjohjen më të thellë për shërbimin tuaj të madh”. Duke bërë bilancin e arritjeve dhe sukseseve në periudhën trevjeçare të qeverisjes demokratike, z. Berisha tha se “në këto tre vjet kemi rritur rrogat dhe pensionet, me një rritje prej 43%, krahasuar me atë të qeverisjes paraardhëse, duke përmbushur kështu premtimet tona: Shqipëria, theksoi Kreu i Qeverisë, ka hyrë tashmë në rrugën e zhvillimit, duke shënuar rritje në investime në të gjitha fushat, infrastrukturë, bujqësi, arsim, shëndetësi, kulturë etj.
Tre vjet më parë, ftesa për në NATO, ishte si ylli në horizont/Shefi i ekzekutivit Sali Berisha, deklaroi nga qyteti i Korçës, peripecitë dhe sakrificat që bëri Shqipëria gjatë tre viteve të fundit për të marrë ftesën për në NATO. Sipas kryeministrit, tre vjet më parë ftesa për në NATO ishte si ylli në horizont, ishte larg sepse Shqipëria ishte vendi i sistemit të korrupsionit dhe kleptokracisë sepse në Shqipëri ministrat kishin monopole, njeri të naftës, tjetri të ndërtimit, sepse Shqipëria ishte vendi ku 70 % e tenderëve bëheshin direkt, ndaheshin midis kontraktuesit dhe sipërmarrësit paratë, sepse Shqipëria ishte vendi në të cilin në taksa tatime dogana shpërdoroheshin dhe vidheshin 1.4 miliardë dollarë sipas raportit të Bankës Botërore. “Ftesa ishte larg sepse Shqipëria kishte administratën më makute që shpërdoronte dhjetëra miliona lekë, udhëtime, makina, telefonata, ahengje. Në Shqipëri punonin në administratë me mijëra borde të ndërtuara mbi konfliktin e interesit si në asnjë vend tjetër, caktonin rrogën e drejtorit më të lartë se të ministrit në mënyrë që anëtarët e bordit të merrnin si përqindje në bazë të rrogës së drejtorit”, tha Berisha. Ai theksoi gjithashtu se tre vjet më parë, Shqipëria ishte vendi ku një projekt prokurohej 2-3 herë. “Kjo ishte e vërteta dhe për këto vendi ishte i dënuar. Kur erdhëm në pushtet nuk lejuam anëtarësimin në më shumë se tre borde sepse e dinim që ato shpërdoreshin dhe nuk vinin në interesin tuaj, kjo ishte situata. Në këto kushte morëm pushtetin dhe i kujtova këto vetëm për një qëllim sepse sot prapë ka korrupsion, por me mençurinë tuaj dhe të shqiptarëve nuk duhet kurrë të mohojmë, të pranojmë të mohojmë arritjet e mëdha në këtë fushë, arritjet si në asnjë vend. Unë jam këtu për t`u raportuar cilat janë këto arritje. Nuk shprehin kurrë ministrat e 27 vendeve anëtare të BE-së për reformat në Shqipëri si frymëzuese për vendet e rajonit në rast se rezultatet nuk do të kishin qenë spektakolare”, vijoi ndër të tjera Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›